Kryendeshja e xhiros së XVII në Superligën e Kosovës në basketboll e zhvilluar të shtunën mbrëma në palestrën "Minatori" në Mitrovicë, në prani të rreth 1500 shikuesve ndërmjet Trepçës dhe Pejës, ka përfunduar me fitore të skuadrës nikoqire me rezultat 83:65 (14:10,21:12, 34:23, 14:20).
Trepça ishte ajo skuadër që prej fillimit të ndeshjes e ka diktuar ritmin e lojës dhe kështu pa ndonjë vështirësi të madhe ka arritur deri te fitorja e parë në këtë edicion të elitës së basketbollit kosovar karshi verdhezinjve, pasi në dy ballafaqimet e mëparshme kanë triumfuar pejanët.
Më të dalluarit te vendasit ishin Scott Montrael me 19 pikë, 7 kërcime e 4 asistime, Frederic Stutz me 17 pikë e 4 asistime, Besnik Azemi me 16 pikë dhe Samir Zekiqi me 15 pikë.
Te Peja më efikasit ishin Billie Jamie O'Brien me 17 pikë e 4 kërcime, Arti Hajdari me 15 pikë dhe Noah James Dahlman me 14 pikë e 10 kërcime.
Në kuadër të kësaj xhiroje do të zhvillohen edhe tri ndeshje të tjera, që të gjitha të dielën, ku Sigal Prishtina do të ballafaqohet me Kerasan Prishtinën, Bashkimi është nikoqir i Vëllaznimit dhe Rahoveci e pret Golden Eagle Yllin.
Superliga e Kosovës/Xhiroja e XVII
E shtunë
Trepça - Peja 83:65
E diel
Sigal Prishtina - Kerasan Prishtina 14:00
Bashkimi - Vellaznimi 16:00
Rahoveci - Golden Eagle Ylli 17:00 në Gjakovë