Sigal Prishtina ka shënuar fitore ndaj Kosova e Re bashkimit në derbin e xhiros së katërt të ETC Superligës. Në ndeshjen e zhvilluar para rreth 2000 shikuesve në palestrën Sezai Surroi në Prizren, kampioni aktual i Kosovës, edhe një herë i udhëhequr nga Dardan Berisha, mposhti prizrenasit dhe siguroi epitetin e të vetmit ekip të pamposhtur këtë sezon.
Qysh në dhjetë minutëshin e parë u pa se ndeshje do të jetë e vështirë për të dyja ekipet meqë vendësit për 10 minuta shënuan vetëm 8 pikë, kurse mysafirët 13.
Sidoqoftë, Sigal Prishtina ishte vazhdimisht në epërsi kurse në çerekun e tretë u shkëput duke arritur rezultatin 54:22.
Ekipi mysafir në fund fitoi me rezultat 76 me 64. Dardan Berisha me 27 pikë edhe në këtë ndeshje ishte basketbollisti më efikas.
Në ndeshjet tjera po ashtu fitore shënuan favoritët.
Në sallën e mbushur 13 qershori në Suharekë Ylli ishte nikoqir i Pejës por nuk ishte rival i fortë për nënkampionin e Kosovës, që kërkonte fitore bindëse për tu rehabilituar nga humbja e dhimbshme ndaj Mornarit në Mal të Zi në ligën BIBL.
Peja në këtë takim shënoi fitore 102:73 duke qenë në epërsi që nga minutat e parë dhe duke diktuar rimtin e lojës përgjatë tërë kohës.
Trepça, po vazhdon të tregojë basketboll efektiv, madje këtë sezon në start duket shumë më mirë se sezoneve të kaluara, përkundër faktit që vazhdon të mos ketë në dispozicion palestrën Minatori, si pasojë e vonesave në renovimin e saj.
Ky ekip, në Drenas, mposhti Besën me rezultat 95:65. Trepça në pjesën e dytë të ndeshjes (çereku i tretë 28:14), në saje të efikasitetit të lartë në gjuajtjet nga distanca dhe në mënyrë komode shënoi fitore për të mbajtur hapin me Kosova e Re Bashkimin dhe Pejën.
Vëllaznimi pas dy humbjeve, tani shënoi edhe fitore ne dytë me radhë dhe të parën si mysafir. Ekipi gjakovar mposhti Kastriotin, tashmë një prej vetëm dy ekipeve që kanë katër humbje nga katër ndeshje. Vëllaznimi fitoi me rezultat 87:70, kurse në pjesën e dytë ka pasur edhe epërsi që arrinte nëmbi 20 pikë.
Ekipet gjatë kësaj jave do të jenë aktive në ndeshjet e xhiros së parë të IPKO Kupës së Kosovës, kurse Sigal Prishtina dhe Peja do të zhvillojnë ndeshje edhe në ligën ballkanike BIBL.
Sigal Prishtina nesër e pret ekipin rumun Craiova, kurse Peja të mërkurën është nikoqire e Teodos nga Tivari.