Derbi i xhiros së gjashtë në Grupin B të Sigal Uniqa Ligës Ballkanike i zhvilluar të martën mbrëma në palestrën “Karagaci” ndërmjet Pejës dhe Bashkimit nga Prizreni ka përfunduar me fitoren e skuadrës nikoqire me rezultat 83:70.
Në këtë mënyrë verdhezinjtë vazhdojnë të mbeten të pamposhtur para tifozëvë të tyre dhe atë jo vetëm në BIBL, por edhe në garat vendore.
Peja tashmë ka 4 fitore në Grupin B të BIBL e 1 humbje (nga Bashkimi në start të edicionit) dhe falë këtij bilanci kryeson në renditjen tabelare me 9 pikë, duke e lënë pas vetes Teodo-n me 7 sosh, Bashkimin me 7 dhe Levski 2014 e Lovcen Basket me nga 5 pikë të tubuara.
Pejanët triumfuan ndaj prizrenasve falë cerekut të tretë të shkëlqyeshëm, pasi në 20 minutat e para ndeshja ishte e barabartë, por për një nuancë më të mirë ishin mysafirët, të cilët shkuan në pushimin midis dy pjesëve të lojës me epërsi prej 4 pikëve, 37:41.
Mirëpo me t’u kthyer në parket Peja u shfaq me një fytyrë krejt tjetër prej asaj në 20 minutat e para dhe në cerekun e tretë ia doli të shënoj 27 pikë, derisa Bashkimin e ndali në vetëm 12 pikë. Në vazhdim të takimit verdhezinjtë luajtën më të qetë dhe kështu në fund iu gëzuan edhe një tjetër fitoreje para tifozëve të tyre.
Drilon Hajrizi ishte më i dalluari në radhët e Pejës me 18 pikë, 7 kërcime, 7 asistime e 4 topa të vjedhur, kurse te Bashkimi më efikasi ishte Theron Bussey me 20 pikë, 4 kërcime e 4 asistime.
Peja-Bashkimi 83:70 (19:17, 18:24, 27:12, 19:17)
Palestra e sportit "Karagaçi" në Pejë.
Shikues: rreth 2.000.
Gjyqtarë: A. Milojeviq, Z. Mitrovski, A. Ferevski.
Peja: Veseli 10, Hajrizi 18, S. Zekiqi 1, Muldrow 14, Burëell 16, F. Rugova 6, Grapci 6, Hajdari, Davis 12, Kovaçi, B. Zekiqi, Mekaj.
Bashkimi: Bussey 20, Waller 9, G. Rugova 11, Shima 6, Jones 16, Tahiri, Tolaj, Shehu, Biraj 2, Balluku, Abu 6.
Grupi B
Peja-Bashkimi 83:70
Teodo-Lovcen Basket 81:63
Tabela
1. Peja 5 4 1 9
2. Teodo 4 3 1 7
3. Bashkimi 5 2 4 7
4. Levski 2014 3 2 1 5
5. Lovcen Basket 5 0 5 5