Bashkimi më në fund arriti të regjistrojë fitoren e parë në edicionin 2016/17 në Sigal Uniqa Ligën Ballkanike (BIBL).
Prizrenasit të martën mbrëma ishin nikoqirë të skuadrës së Kozuv-it nga Gjevgjelia e Maqedonisë, të cilën e mposhtën pas një përfundimi dramatik me rezultat 69:66.
Fituesi i ndeshjes është vendosur në sekondat e fundit, ndërsa të dyja ekipet kanë pasur shanset e tyre për të fituar, por ishin vendasit ata që falë nervave ia dolën që të nxjerrin dy pikë mjaft të vlefshme nga ky takim.
Bashkimi e ka realizuar fitoren e parë pas katër humbjeve radhazi në Grupin A të BIBL dhe kjo fitore i ka këndellur sadopak portokallinjtë, të cilëve tani ju duhet të fitojnë edhe në pothuajse të gjitha takimet e mbetura të edicionit të rregullt nëse mendojnë për kualifikim tutje në këtë garë.
Eric Palm ka pasur paraqitje shumë të mirë për skuadrën prizrenase, i cili e ka përmbyllur takimin me 27 pikë, 5 kërcime e 3 asistime, kurse Kejuan Johnson ka shtuar 21 pikë, 7 kërcime, 4 asistime e 4 topa të vjedhur.
Në anën tjetër te Kozuv-i më efikasit ishin Kenyon McNeail me 22 pikë, 7 asistime e 7 kërcime dhe Milvoje Mijovic me 11 pikë e 12 kërcime.
Në javën e ardhshme Bashkimi është nikoqir i Sigal Prishtinës, kurse Kozuv-i do të përballet me Beroe-n si mysafir.