Peja e ka përmbyllur fazën e grupeve në Sigal Uniqa Ligën Ballkanike (BIBL) në mënyrën më të mirë të mundshme. Verdhezinjtë e kanë regjistruar fitoren e shtatë me radhë në kuadër të Grupit B në BIBL, pasi të mërkurën mbrëma në palestrën e sporteve “Karagaci” e kanë mposhtur Lovcen Basket-in nga Cetinje e Malit të Zi me shifrat 78:61.
Peja e ka siguruar pozitën e liderit të grupit qysh para dy xhirove, por ka vazhduar me fitore dhe me paraqitje shumë të mira në Ligën Ballkanike. Pejanët ishin më të mirë se malazezët në cdo aspekt të lojës, duke dominuar që nga fillimi e deri në fund të takimit.
Ronald Davis dhe Kevin Burwell kanë realizuar nga 18 pikë, ndërsa Nenad Deliq 13 e Fisnik Rugova 11 sosh, duke qenë kështu ndër më të dalluarit në kampin verdhezi.
Në anën tjetër te Lovcen-i më efikasi ishte Aleksandar Miliq me 14 pikë.
Peja ka bilanc prej 8 ndeshje, 7 fitore e 1 humbje, duke përfunduar në vendin e parë me 15 pikë në Grupin B. Të vetmen disfatë pejanëve ua ka shkaktuar skuadra tjetër kosovare që ka garuar në kuadër të këtij grupi, Bashkimi nga Prizreni, e cila po ashtu e ka vazhduar garën në fazën e dytë në Ligën Ballkanike.
Peja-Lovcen Basket 78:61 (28:13, 16:18, 20:11, 14:19)
Palestra e sportit ‘Karagaçi’ në Pejë. Shikues: 1000.
Gjyqtarë: Z. Mitrovski, V. Tsekov, A. Ferevski.
Peja: Rugova 11, Muriç, Kadusha, Mekaj 2, Grapci 2, Deliç 13, Hajdari, Hajrizi 6, Davis 18, S. Zekiqi 5, Burwell 18, B. Zekiqi 3.
Lovcen: Miliq 14, Boriloviq, Jovanoviq 10, Petriq 7, Tmushiq 14, S. Knezheviq 8, Vukçeviq 2, Mladjen, Shevaljeviq, V. Knezheviq 6, Milosh.