I nderuari Zëvendëskryeministër, z. Kujtim Shala, të nderuar ministra, z. Memli Krasniqi, z. Blerand Stavileci, të nderuar ish-ministra dhe përfaqësues tjerë të institucioneve të Kosovës,
I nderuar ambasador i Republikës Italiane, z. Andrea Ferrarese, e nderuara ambasadore e Republikës së Turqisë, z. Songyl Ozan, i nderuar ambasador i Republikës së Shqipërisë, z. Qemajl Minxhozi, të nderuar përfaqësues të misioneve diplomatike në Kosovë,
I nderuar z. Kamil Novak, Drejtor i FIBA Evropë,
I nderuar z. Lubomir Kotleba, Drejtor Sportiv i FIBA dhe përfaqësues special për Kosovë i Sekretarit të Përgjithshëm të FIBA, z. Patrick Baumann,
I nderuar z. Shay Shtriks, Drejtor Sportiv i Ligës Ballkanike,
I nderuar Kryetar i Komitetit Olimpik të Kosovës, z. Besim Hasani,
I nderuar z. Georgi Glushkov, Kryetar i Federatës së Basketbollit të Bullgarisë dhe anëtar i Bordit të FIBA Evropë,
I nderuar z. Avni Ponari, Kryetar i Federatës së Basketbollit të Shqipërisë,
I nderuar z. Daniel Dimevski, Kryetar i Federatës së Basketbollit të Maqedonisë,
I nderuar z. Emir Turam, përfaqësues i Federatës së Basketbollit të Turqisë dhe Asistent i Personal i Presidentit të FIBA Evropë,
Të nderuar përfaqësues të federatave sportive nga shtetet mike dhe Kosova,
Përfaqësues të mediave, sportistë, miq të nderuar, anëtarë të FBK-së dhe anëtarë të Bordit të FBK-së,
Mirëdita dhe mirëserdhët në manifestimin e organizuar për të shënuar pranimin e FBK-së si anëtare të 215 në FIBA në këtë vit 2015 dhe si anëtare e 52 e FIBA Evropë.
Komiteti Ekzekutiv i FIBA-s i grumbulluar më 13 mars 2015 në Mies të Zvicrës, vendosi me vota unanime pranimin e aplikacionit të FBK-së për anëtarësim me të drejta të plota në familjen e madhe të këtij sporti fantastik.
Sot ne jemi të nderuar me prezencën e përfaqësuesve të lartë të FIBA-s, por edhe me prezencën tuaj, të nderuar mysafirë, ngase Ju, falë dashurisë për basketbollin, me përkushtimin dhe angazhimin tuaj arritët ta mbani të gjallë këtë sport dhe t’ia siguroni atij primatin e sportit më të popullarizuar në Kosovë, edhe në momente izolimi total edhe në momente kur organizimi i basketbollit në Kosovë dukej mision i pamundur.
Basketbolli në Kosovë sot transmetohet nga pothuajse të gjitha televizionet nacionale dhe kabllovike dhe përcillet nga radiot dhe shtypi, andaj më lejoni që tu shpreh mirënjohje të posaçme të gjitha mediumeve për kontributin shumëvjeçar të tyre.
Do të ishte e pamundur që rrugëtimin e basketbollit në Kosovë ta përmbledhim me një fjalim të vetëm, andaj ju ftoj që së bashku të shikojmë një dokumentar të shkurtër, me të cilin jemi përpjekur që të bëjmë një përmbledhje të veprimtarisë në basketboll që nga fillet e organizimit të këtij sporti e deri në pranimin tonë në FIBA muajin e kaluar.
EMETIMI I DOKUMENTARIT
Jam i sigurt se në këtë dokumentar duhet të kemi harruar ta përmendim ndonjë personalitet që ka kontribuar për basketbollin tonë, por ju lus që kjo kurrsesi të mos interpretohet si qëllimkeqe. Përkundrazi, u jemi mirënjohës të gjithë atyre që kanë kontribuar në organizimin, zhvillimin, masovizimin dhe popullarizimin e basketbollit në Kosovë.
Sigurisht, shenjat të cilat sot ua kemi shpërndarë të gjithëve në hyrje mund t’i keni parë edhe më herët të vendosura në sakon time, apo të kolegëve nga Bordi i FBK-së. Sot, ne të gjithë po e bartim nga një shenjë të tillë, e për një arsye të thjeshtë: të gjithë në këtë sallë janë meritorë për suksesin e basketbollit kosovar dhe pranimin e Kosovës në FIBA.
Unë personalisht kam nderin të jem kryetar i një Bordi konstruktiv dhe të zellshëm, si dhe të udhëheq një federatë me shumë individë të çmuar dhe të përkushtuar. Ju faleminderit.
Sot, mes nesh gjendet z. Lubomir Kotleba, apo Lubo siç e thërrasin miqtë e tij, e besoj të jem njëri nga ta, i cili në vitin 2008 si përfaqësues i parë zyrtar i FIBA-s që vizitonte Kosovën e dha një deklaratë nga zemra: “Sa i përket basketbollit, Kosova që sot mund të jetë anëtare e FIBA-s," tha ai. Për të realizuar këtë, politikës iu deshën edhe shtatë vite tjera.
Megjithatë, edhe ndërkohë për basketbollin tonë kishte hapa pozitivë. Dy vite më parë, falë insistimit të z. Shtriks dhe Ligës Ballkanike, FIBA pranoi që dy klube nga Kosova të kyçen në këtë ligë rajonale. Pa asnjë dilemë meritat më të mëdha për këtë i shkojnë z. Shay Shtriks, por edhe homologëve të mi nga shtetet fqinje që janë të pranishëm sot këtu dhe dua t’i falënderoj edhe një herë përzemërsisht.
Sigal Prishtina dhe Peja dëshmuan se vendimi i BIBL dhe FIBA ishte më se i qëlluar. Kuptohet se kryetari dhe bordi i kaluar, por edhe të gjithë kryetarët dhe të gjitha bordet e mëparshme të FBK-së kanë punuar me ngulm për të gjitha këto të arritura.
Më 5 shkurt ne u pritëm në selinë e FIBA-s nga krerët e FIBA dhe FIBA Evropë, mes të cilëve edhe një mik tjetër i yni – z. Kamil Noval, Drejtor i FIBA Evropë, njeriu i cili, me përkrahjen e z. Turgay Demirel, Kryetar i FIBA Evropës, na e bëri të mundur garimin e dy përfaqësueseve të Kosovës në kampionate evropiane që sivjet, edhe pse të gjitha afatet për regjistrim tashmë kishin skaduar.
Meritë të veçantë për këtë të arritur të basketbollit kosovar ka Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, e në këtë kontekst dëshiroj të falënderoj të gjithë drejtuesit e deritashëm dhe aktualë të këtij institucioni për përkrahjen e dhënë. Sigurisht se federatës sonë dhe federatave tjera sportive të Kosovës tani do tu nevojitet më shumë përkrahje, në veçanti në kuptim të avansimit të infrastrukturës sportive në vend, dhe ne jemi të bindur se do të gëzojmë përkrahje të tillë në të ardhmen.
Në fund ia dolëm – të gjithë bashkë.
Por, më lejoni që krejt në fund të falënderoj edhe një kategori njerëzish e cila sigurisht se nuk është e fundit për nga rëndësia – dëshiroj të falënderoj sponsorët tanë, sponsorët e klubeve, njerëzit qëllimmirë të cilët mundësuan që basketbolli të bëhet dhe mbetet sporti numër një në Kosovë.
Ju faleminderit të gjithëve.