Gëzim Morina dhe Erjon Kastrati edhe zyrtarisht lojtarë të Përfaqësueses së Kosovës.
FIBA sot e ka informuar Federatën e Basketbollit të Kosovës (FBK) se dy lojtarët që deri në vitin e kaluar kanë qenë si basketbollistë të Sllovenisë nga 26 korriku 2017 mund të bashkohen me Përfaqësuesen e Kosovës.
"Pas kontrollimeve në detaje të dokumentacionit nga zyra regjionale e FIBA-s në Evropë dhe me mbështetjen e Federatës së Basketbollit të Sllovenisë, FIBA e autorizon Erjon Kastrati dhe Gëzim Morina që të luajnë për Përfaqësuesen e Kosovës pa kufizime në përputhje me Art.3-23 të Rregulloreve të Brendshme të FIBA-s. Po ashtu ju informojmë se lojtarët e lartpërmendur nuk do të mund të luajnë më për Përfaqësuesen e Sllovenisë në ndonjë garë zyrtare të FIBA-s”, thuhet në letrën e dërguar nga Patrick Baumann, Sekretar Gjeneral i FIBA-s.
Ky pra është një lajm shumë i madh për FBK-në në prag të fillimit të parakualifikimeve evropiane për Kupën e Botës “Kina 2019”, fazë kjo e cila do të filloj më 2 dhe do të përfundoj më 19 gusht.
Kosova ndeshjen e parë si nikoqire do ta luaj kundër Maqedonisë më 2 gusht, kurse takimin e dytë si vendas do ta zhvilloj më 19 gusht kundër Estonisë. Ndeshjet do të luhen në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë.
Kosova bën gara në Grupin C të parakualifikimeve evropiane për Kupën e Botës “Kina 2019” së bashku me Estoninë dhe Maqedoninë, me ndeshjet që do të zhvillohen me sistem vajtje-ardhje.