Sigal Prishtina e ka regjistruar edhe disfatën e katërt në kuadër të Grupit H në FIBA Europe Cup, pasi të mërkurën mbrëma është mposhtur para shikuesve të vet me rezultat 71:81 nga skuadra turke Demir Insaat.
Bardhekaltrit e nisën mjaft mirë ndeshjen duke e përmbyllur cerekun e parë me 4 pikë dallim, 24:20, ndërsa atë që e bënë vendasit në dhjetëminutëshin e parë e bënë mysafirët në të dytin dhe kështu ekipet shkuan në pushim me rezultat 41:40 në të mirë të turqve të Stambollit.
Në pjesën e dytë ishin mysafirët ata që vazhduan ta diktojnë ritmin e lojës, të cilën gjë arritën ta bëjnë deri në përfundim të takimit dhe kështu shënuan fitoren e dytë kundër Sigal Prishtinës në kuadër të Grupit H në FIBA Europe Cup. Në ballafaqimin e parë të luajtur javë më parë në Stamboll, Sigal Prishtina pati pësur disfatë të thellë me shifrat 100:58.
Me këtë humbje skuadra nga kryeqyteti është edhe më larg kualifikimit për në fazën e dytë të FIBA Europe Cup, derisa ndeshjen e radhës do ta luaj kundër Rilski Sportist në Bullgari më 16 nëntor duke filluar nga ora 17:30.
Pas katër xhirove të zhvilluara në Grupin H kryeson Enisey nga Rusia me 8 pikë, e dyta është Demir Insaat me 7 pikë, Rilski Sportist e treta me 5 dhe Sigal Prishtina e fundit me 4 pikë.