Basketbollisti i Përfaqësueses së Kosovës, Dardan Berisha në fundjavë ka pësuar humbje me ekipin e tij Polfarmex Kutno me rezultat 73:67 nga Asseco.
Në këtë ndeshje, që i ka takuar xhiros së katërt në elitën e basketbollit në Poloni, Berisha ka shënuar 21 pikë, 4 kërcime e 2 asistime, duke qenë kështu më i dalluari në radhët e skuadrës së tij.
Pas katër xhirove të zhvilluara, Berisha me klubin e tij Polfarmex Kutno kanë bilanc prej 2 fitore e 2 humbje.
Ndërkohë anëtari tjetër i Përfaqësueses së Kosovës, Scott Bamforth është ndalur në 7 pikë në disfatën e skuadrës së tij Dominion BB nga Iberostar Tener me shifrat 91:81 në kuadër të xhiros së gjashtë në Liga Endesa.
Dominion BB deri më tani ka 4 fitore e 2 humbje në elitën e basketbollit spanjoll.
Ndërkaq Barcelona e basketbollistit tjetër të përfaqësueses kosovare, Justin Doellman ka shënuar fitore me rezultat 78:75 kundër Fuenlabrada-s. Doellman nuk është paraqitur as në këtë ndeshje për shkak se është duke u rikuperuar nga lëndimi i këmbës që e ka përjetuar një javë më parë.
Barcelona nga 5 ndeshje ka bilanc prej 4 fitore e 1 humbje në Liga Endesa.