Dy nga katër ndeshjet e xhiros së shtatë të ETC Superligës së Kosovës në basketboll u zhvilluan në Pejë dhe asnjëra nuk zhgënjeu.
Peja ishte nikoqire e Kosova e Re Bashkimit në atë që ishte paralajmëruar si derbi i javës dhe i tillë ishte përgjatë dhjetë minutave të parë, kur ekipet shënuan 52 pikë gjithsejtë (26:26).
Më pas ekipi i Pejës vazhdoi me lojë shumë efektive në sulm, kurse Kosova e Re Bashkimi nuk ishte në gjendje të mbahet me kundërshtarin dhe pësoi humbjen e dytë me radhë, gjë që këtij ekipi nuk i ka ndodhur shpesh kohëve të fundit.
Peja në fund fitoi 107:84 mbase duke paralajmëruar edhe se i ka lënë prapa vetes problemet ne fazën ofensive të lojës, kurse Kosova e Re Bashkimi pas kësaj ndeshjeje veçse ka filluar me rindërtimin e ekipit duke paralajmëruar transfere të reja të lojtarëve.
Në ndeshjen e dytë të zhvilluar në Karagaç, ekipi i dytë nga qyteti i Pejës, Besa shënoi fitore ndaj Vëllaznimit. Këto ekipe para pak ditësh ishin takuar në ndeshje të IPKO Kupës dhe ekipi pejan e kishte fituar edhe atë duel. Vëllaznimi në këtë ndeshje shkoi i përforcuar me amerikanin Philip Brooks, i cili edhe pse i lënduar u paraqit në ndeshjen e parë dhe luajti aq sa pati mundësi.
Ekipi mysafir hyri me epërsi në çerekun e fundit të ndeshjes dhe 105 sekonda para fundit, rezultati i ndeshjes ishte i barabartë. Mirëpo, në çastet vendimtare lojtarët vendës ishin më të vëmendshëm, kurse Vëllaznimi edhe pse pati aksionin e fundit nuk shënoi për treshe dhe Besa fitoi 67:64.
Golden Eagle Ylli, i inspiruar nga shfaqja shumë e mirë që e dha me Sigal Prishtinën, udhëtoi së bashku me tifozët e vet në Drenas për duelin me Trepçën.
Edhe pse ekipet ishin të baraspeshuara në pjesën më të madhe të ndeshjes, Trepça në çerekun e katërt nuk lejoi befasi dhe tashmë u përforcua në vendin e tretë në tabelë dhe pas ciklit të parë të garave, mund të thuhet se ky ekip sivjet qëndron shumë më mirë sesa vitet e kaluara në të gjitha aspektet. Ndeshja Trepça – Golden Eagle Ylli përfundoi 90:75.
Ndeshja e fundit e xhiros së shtatë ishte ajo ndërmjet Sigal Prishtinës dhe Kastriotit. Ashtu siç edhe pritej, kampion aktual i Kosovës para ndeshjes kryesore në grup në ligën BIBL me Kozhuvin, shënoi fitore të thellë duke mos rrezikuar asgjë dhe duke mos i ngarkuar shumë bartësit e lojës për ndeshjet e rëndësishme. Rezultati i kësaj ndeshjeje ishte 121:76.