Klubi i basketbollit Peja është shpallur kampione e Kosovës për grupmoshën U16, pasi që të dielën ka shënuar fitore në ndeshjen e dytë finale të play-off-it kundër Riinvest Prishtinës me rezultat 63:48.
Ndeshja është zhvilluar në palestrën e sportit “Karagaçi” në Pejë, ndërsa nuk ka munguar rivaliteti ndërmjet këtyre dy skuadrave deri në dy minuta pa përfunduar takimi.
Prej fillimit të ndeshjes herë njëra e herë tjetra skuadër kalonte në epërsi, derisa në çerekun e fundit ishin nikoqirët ata që e morën lojën nën kontroll dhe kështu bënë që në fund ta zhvleftësojnë epërsinë e prishtinasve prej tri pikëve të krijuar në ndeshjen e parë të luajtur në mesjavë në kryeqytet.
Me këtë ndeshje të zhvilluar sot është përmbyllur edicioni 2016/17 në të gjitha garat e Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK).
FBK tani gjithë fokusin do ta ketë në Përfaqësueset e Reja dhe në Përfaqësuesen A.
FBK sivjet do të garojë me 4 Përfaqësuese të meshkujve dhe 2 të femrave në garat e FIBA-s.