Pas Sllovenisë dhe Ukrainës tani i vjen radha Bullgarisë.
Kombëtarja e Kosovës të martën në mëngjes do të niset për në Sofje ku në mbrëmje do ta zhvilloj stërvitjen e radhës për përgatitje sa më të mirë për duelin me Bullgarinë në kuadër të kualifikimeve për Eurobasket 2017.
Pavarësisht dy disfatave në dy ndeshjet e para, basketbollistët tanë janë shumë të motivuar dhe atmosfera brenda skuadrës është shumë e mirë, andaj djelmoshat tanë besojnë se të mërkurën do ta bëjnë më të mirën në parket dhe do të dëshmojnë lojë sa më të mirë në duel me bullgarët.
Ballafaqimi në mes Bullgarisë dhe Kosovës do të zhvillohet të mërkurën me fillim nga ora 17:00, ndërsa ndeshjen mund ta shikoni në SuperSport Kosova.
Kosova në ndeshjen e parë në kualifikimet për Kampionatin Evropian ndaj Sllovenisë si mysafire është mposhtur me rezultat 113:68, kurse në takimin e luajtur në fundjavë si nikoqire është mundur nga Ukraina me shifrat 70:63. Kundër ukrainasve, basketbollistët tanë kanë dëshmuar lojë shumë të mirë, ku ishin edhe shumë pranë fitores, por në pesë minutat e fundit doli në pah përvoja e mysafirëve të cilët falë mbrojtjes së fortë dhe kërcimeve nën kosh ia dolën të kthehen në Ukrainë me fitore.