Përfaqësuesja U-18 e Kosovës në konkurrencën e meshkujve të enjten është mposhtur nga Azerbajxhani me rezultat 66:77 në gjysmëfinale të Kampionatit Evropian U-18, Divizioni C që është duke u mbajtur në San Marino.
Kundërshtari i Kosovës prej fillimit të takimit ka dominuar në parket dhe ka qenë superior karshi Përfaqësueses sonë, andaj me meritë është stolisur në finale, ku e pret fituesin e ndeshjes Andorra-San Marino. Ndërkaq humbësi i këtij dueli të premten do të ballafaqohet me Kosovën për vendin e tretë në këtë garë.
Duhet theksuar se kjo disfatë ishte e papritur për Përfaqësuesen tonë, pasi në fazën e grupeve ajo ishte superiore karshi të gjithë kundërshtarëve të saj duke i mundur me koshdallim të thellë. Sidoqoftë djelmoshat tanë kanë lënë përshtypje shumë të mira në këtë Evropian, andaj edhe pritet që të premten të arrijnë të stolisen me medaljen e bronztë.