Përfaqësuesja e Kosovës në basketboll ka pësuar humbje të mërkurën në Tallin nga Estonia me rezultat 76:50 (17:15, 23:14, 20:12, 16:9).
Kjo ndeshje i takuar Grupit C të parakualifikimeve evropiane për Kupën e Botës "Kina 2019".
Kosova një javë më parë e ka mposhtur Maqedoninë në Prishtinë, dhe tani ka 1 fitore e 1 humbje në grup, derisa Estonia ka regjistruar 2 fitore, dhe Maqedonia 2 humbje në kuadër të Grupit C.
Përfaqësuesja jonë të shtunën do të përballet me Maqedoninë në Shkup, kurse më 19 gusht e pret Estoninë në shtëpi.
Ndërkaq sa i përket duelit me estonët në Tallin, basketbollistët tanë ia dolën që vetëm në çerekun e parë të jenë rivalë të barabartë me kundërshtarin, pasi më pas ishin nikoqirët ata që e diktuan ritmin e lojës dhe nuk lejuan që mysafirët asnjëherë të bëjnë kthesë në rezultat.
Pas ndeshjes në konferencën për media të organizuar nga Federata e Basketbollit e Estonisë u paraqitën kryetrajneri Brad Greenberg dhe basketbollisti Erjon Kastrati.
Brad Greenberg, përzgjedhës i Kosovës:
"Estonisë ia uroj fitoren. Ata e dëshmuan që janë skuadër e fortë. Kane luajtur mirë në mbrojtje, ndërsa në sulm e kanë pasur natën e tyre. Ishin shumë të saktë në gjuajtjet për tri pikë. Thjesht e merituan të fitojnë pas kësaj paraqitjeje që e patën. Unë shpresoj të rikuperoheni dhe do të fitojmë ndaj Maqedonisë. Tani jemi të fokusuar te ky duel".
Erjon Kastrati, basketbollist i Përfaqësueses së Kosovës:
"Ishte një natë e keqe për neve. E kemi ditur se do të jetë vështirë, sepse Estonia është skuadër që e lëviz shumë shpejtë topin, por sot kanë luajtur shumë mirë edhe në mbrojtje. Në anën tjetër ne patëm probleme me mbrojtjen tonë dhe kjo na kushtoi shumë. Tani duhet të mendojmë për ndeshjen me Maqedoninë. Kemi pak ditë për tu rikuperuar, por jemi optimistë dhe premtojmë se do ta bëjmë më të mirën tonë në parket".