Kosova ka regjistruar humbje në ndeshjen e luajtur të enjten mbrëma në Oradea kundër Rumanisë në kuadër të Grupit B të parakualifikimeve për Eurobasket 2021.
Takimi ka përfunduar me shifrat 88:83 (14:17, 21:18, 24:18, 29:30).
Ndeshja ishte e baraspeshuar prej fillimit e deri në fund të takimit dhe këtë e dëshmon më së miri edhe rezultati i ndeshjes, ku nikoqirët arritën të sigurojnë fitoren vetëm në sekondat e fundit.
Përfaqësuesja jonë në këtë ndeshje u paraqit vetëm me lojtarë vendor, ndërsa ai që shkëlqeu në parket ishte Lis Shoshi me 29 pikë e 18 kërcime, derisa kapiteni Dardan Berisha ka shtuar 24 pikë, 4 kërcime e 4 asistime.
Në anën tjetër te Rumania më i dalluari ishte Giordan Watson me 19 pikë.
Kosova pas kësaj ndeshje do të takohet me Maqedoninë në Gjevgjeli më 2 dhjetor.