Kosova për herë të parë do të bëjë gara këtë vit edhe me Përfaqësuese të basketbollit në konkurrencën e femrave në gara të FIBA-s. Në fakt do të jetë Përfaqësuesja U-18 që do të debutoj në konkurrencën e femrave në Kampionate Evropiane, por Federata e Basketbollit e Kosovës (FBK) ka vendosur që në këtë edicion të garave të FIBA-s të paraqes edhe Kosovën U-16 në konkurrencën e femrave.
Kosova U-16 do të bëjë gara prej 18 deri më 23 Korrik në Andorra në Kampionatin Evropian, Divizioni C, Grupi A së bashku me Uellsin dhe Maltën.
Përzgjedhësi i Kosovës U-16 në konkurrencën e femrave, Fidan Shatri së bashku me ndihmësin e tij Arianit Morinën janë shprehur të kënaqur me punën e vajzave dhe kanë deklaruar se më këto vajza synojnë që në Andorra të fitojnë përvojë dhe të lënë përshtypje sa më të mira si Përfaqësuese nga një shtet i ri.
Fidan Shatri, përzgjedhës i Kosovës U-16 (femrat):
“Momentalisht në skuadër i kemi 15 vajza të moshës 12, 13, 14 dhe 15 vjeçe. Bëhet fjalë për një grup të vajzave të reja që e duan basketbollin dhe që ju është dhënë rasti të luftojnë për një vend në Përfaqësuese të Kosovës të grupmoshës U-16. Ne jemi me të vërtetë të kënaqur me punën që po e bëjnë vajzat, sepse ato premtojnë shumë. Ne tani e kemi për detyrë që në Andorra të luajmë basketboll cilësor dhe të arrijmë të shënojmë disa fitore, që do të ishin një motivim i madh për këto basketbolliste të reja”.
Kampionati Evropian U16, Divizioni C/Grupi A:
1. Uellsi
2. Kosova
3. Malta