Të mërkurën dhe të enjten në Kosovë do të qëndroj Lubomir Kotleba, këshilltar i Sekretarit të Përgjithshëm të FIIBA-s.
Qëllimi i vizitës së Kotleba-s është inspektimi i palestrës së vogël të Pallatit të Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë.
Kjo vizitë është paralajmëruar nga FIBA një muaj më parë:
“Më lejoni t’ju përgëzoj për sigurimin e një vendi në kualifikimet evropiane për Kupën e Botës ‘Kina 2019’. Për të qenë sa më të përgatitur që është e mundur për ndeshjet e muajit nëntor, do të kishim pasur dëshirë që të vlerësojmë palestrën që e keni paraqitur në platformë. Kjo do të bëhet nëpërmjet një vizite inspektuese dhe në bazë të informatave që i keni ofruar, palestra nuk mund të miratohet nëse nuk i përmbush të gjitha kriteret e nevojshme. Vizita do të shërbej për të qartësuar nëse palestra mund të shfrytëzohet ose nëse mund të bëjmë përjashtim për ta shfrytëzuar atë dhe nëse masat mund të ndërmerren në mënyrë që palestra të miratohet. Nëse disa kërkesa minimale nuk mund të përmbushen, ekziston mundësia që ju të luani ndeshjet jashtë vendit, derisa të keni palestër të përshtatshme e regjistruar në vendin tuaj. Lubomir Kotleba, këshilltar i Sekretarit të Përgjithshëm të FIBA-s do të vizitoj Prishtinën më 20 dhe 21 shtator 2017”, ky ka qenë citati i shkresës nga FIBA-s të dërguar më 26 gusht te Federata e Basketbollit e Kosovës (FBK).
Aktualisht palestra në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë nuk i ka më shumë se 2,000.00 ulëse gjithsej, ndërsa kapaciteti i kërkuar nga FIBA është 3,000.00 ulëse.
Gjatë vizitës së tij në Prishtinë, Kotleba do të jetë i shoqëruar nga numri një i FBK-së, Erolld Belegu dhe nga u.d. sekretarja e përgjithshme e FBK-së, Elvira Dushku, ndërsa të mërkurën Kotleba do të inspektoj palestrën së bashku me Belegun dhe Dushkun, si dhe me drejtorin e Departamentit të Sporteve të Kosovës (DSK), Ibër Alaj. Gjithashtu Kotleba dhe zyrtarët e FBK-së do të kenë takim pune me zyrtarët e Ministrisë së Sportit dhe ata të DSK-së për të biseduar rreth punëve që pritet këto institucione t’i kryejnë në mënyrë që Kosova ndeshjet kualifikuese si nikoqire t’i luaj në Prishtinë/Kosovë, e jo të kërkoj ndonjë palestër jashtë shtetit.
Duhet theksuar se Kosova është pjesë e Grupit C të kualifikimeve evropiane për Kupën e Botës “Kina 2019” së bashku me Lituaninë, Hungarinë dhe Poloninë.
Kosova ndeshjen e parë do ta luaj si nikoqire, më 23 nëntor 2017, kundër Lituanisë, ndërsa të gjitha punët rreth palestrës duhet të përfundojnë jo më larg se data 1 nëntor.
Përfaqësuesja jonë këtë verë ka arritur sukses historik, pasi në fazën e parakualifikimeve evropiane për Kupën e Botës “Kina 2019” arriti të mposht Maqedoninë dhe Estoninë në shtëpi, për t’u kualifikuar tutje së bashku me Estoninë, kurse Maqedonia u eliminua.