Sigal Prishtina e ka regjistruar një tjetër humbje në Ligën Ballkanike (BIBL).
Bardhekaltrit janë mposhtur të enjten mbrëma nga skuadra e Kozuv-it të Gjevgjelisë me rezultat 92:65 (27:17, 17:23, 23:15, 25:10) në kuadër të Grupit A të BIBL-it.
Kampionëve në fuqi të Ligës Ballkanike tani u janë vështirësuar dukshëm gjërat për të siguruar një vend në fazën e dytë të kësaj gare.
Së pari Sigal Prishtina duhet që të hënën ta mund Bashkimin me së paku 12 pikë epërsi, si dhe më pas duhet ta mposht Kozuv-in në Gjevgjeli. Në të njëjtën kohë ekipi nga kryeqyteti duhet të shpresoj që Bashkimi të humb në përballje me Teodo-n në javën e fundit të edicionit të rregullt, si dhe Kozuv-i nga Kumanova në xhiron e parafundit.
Me fitoren e realizuar sonte në Prishtinë, Kozuv-i ende shpreson për të siguruar një vend në fazën e dytë të BIBL-it, kurse në dy ndeshjet e radhës do të luaj si vendas kundër Kumanovës, si dhe sërish ndaj Sigal Prishtinës, andaj nëse triumfon në këto dy ballafaqime mund të mbetet në lojë për të vazhduar tutje në këtë garë.
Aleksandar Yanev ishte më efikasi te Kozuv-i në përballje me Sigal Prishtinën. Ai e përmbylli takimin me 21 pikë e 4 asistime. Milivoje Mijoviq ka shtuar 20 pikë e 13 kërcime, kurse Bojan Krstevski kontribuoi me 18 pikë e 7 kërcime.
Te nikoqirët më të dalluarit ishin Drilon Hajrizi dhe Jabarie Hinds me nga 16 pikë secili, ndërsa Grant Johsnon shtoi 12 pikë.