Kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri, ka pritur të martën në një takim kryetarin e Federatës së Basketbollit në Kosovë, Erolld Belegu, me të cilin ka biseduar për gjendjen e përgjithshme të basketbollit kosovar, për mënyrat e bashkëpunimit ndërmjet autoriteteve komunale dhe federatës që ai udhëheqë, por me theks u bisedua për pozitën e vështirë financiare në të cilën ndodhet klubi i basketbollit për meshkuj- Trepça.
Kryetari i kësaj federate, ErolldBelegu foli për punën dhe aktivitetet e federatës dhe njëkohësisht u interesua rreth afateve kohore të përfundimit të punimeve të palestrës së sporteve në Mitrovicë.
“Prej që ka filluar renovimi i palestrës së sporteve në Mitrovicë, klubi basketbollistik Trepça por edhe klubet e tjera janë të detyruara t’i zhvillojnë ndeshjet në qytete të tjera, prandaj klubit Trepça i duhet përkrahje dhe ndihmë financiare për tejkalimin e vështirësive”, ka thënë Belegu.
Ndërsa, kryetari Bahtiri deklaroi të jetë i njoftuar me vështirësitë që ka sporti mitrovicas, e veçanërisht klubi i basketbollit Trepça. Ai premtoi se do ta përkrah këtë klub në bazë të mundësive buxhetore që ka Mitrovica.
“Ne i kemi parasysh vështirësitë që kanë klubet sportive të Mitrovicës për shkak të renovimit të palestrës, por shpresojmë që brenda një periudhë të shkurtër kohore punimet në palestër do të përfundojnë dhe klubet mund ta shfrytëzojnë atë për zhvillimin e aktiviteteve. Ajo çka mund të them është se po shqyrtohen mundësit financiare të komunës që klubeve sportive, në veçanti klubit Trepça të basketbollit t’i ndihmohet financiarisht. Ne i dimë dhe i kuptojmë problemet e tyre dhe për këtë jemi duke bërë përpjekje që t`i ndihmojmë”, ka thënë Bahtiri.
Sipas kryetarit Bahtirit, me rëndësi për sportin nuk është vetëm zhvillimi i lojërave brenda Kosovës, por edhe ndërkombëtarizimi i tij. “Sporti është jashtëzakonisht i rëndësishëm për një shoqëri. Jo vetëm basketbolli por të gjitha sportet duhet të zhvillohen, dhe ato të përfaqësojnë komunën tonë në vendet e tjera, pasi vetëm në këtë mënyrë sporti do të mund të zhvillohej fuqishëm”, ka thënë Bahtiri.