Koordinatori teknik në Federatën e Basketbollit të Kosovës (FBK), njëherësh edhe gjyqtari kosovar, Faton Kurshumlija prej 22 deri më 24 maj 2015 ka marr pjesë në Klinikën e FIBA Evropës për Instruktorë të Referimit që është mbajtur në Freising të Gjermanisë.
Kjo ishte hera e parë për një gjyqtar nga Kosova që ka marr pjesë në një Klinikë të tillë. Kurshumlija e ka marr thirrjen e FIBA Instruktorit për Kosovë dhe tashmë pritet që këto njohuri t’ua transmetojë gjyqtarëve të tjerë kosovarë.
Në Klinikën e FIBA Evropës për Instruktorë të Referimit kanë ligjëruar emra eminent si: Carl Jungebrand, Ronnie Nunn, Davorin Nakiç dhe Alan Richardson.
Temat e ligjërimit kishin të bënin me teknikën-mekanikën e tre gjyqtarëve, komunikimin, punën në grup edhe psikologjinë e sportit etj.
“Kjo klinikë ishte një tjetër përvojë e mirëseardhur për mua si gjyqtar dhe tani planifikoj që njohuritë që i kam fituar në Freising t’i ndajë me kolegët e mi në Kosovë. Në javët në vazhdim në koordinim me Shoqatën e Gjyqtarëve të FBK-së do të përpiqemi të caktojmë një seminar ku do ti informoj kolegët e mi me gjithë atë që kam pasur rastin të dëgjoj dhe mësoj në këtë klinikë”, ka deklaruar Kurshumlija.