Të mërkurën dy skuadrat kosovare, Peja dhe Trepça do t’’i luajnë ndeshjet e radhës në kuadër të Grupit B në Ligën Ballkanike, takime këto që janë mjaft të rëndësishme për sigurimin e një vendi në fazën e dytë të kësaj gare.
Verdhezinjtë janë nikoqirë të Sutjeska-s nga Nikshiqi i Malit të Zi, ndeshje kjo që do të zhvillohet nga ora 19:00 në "Karagaçi".
Sutjeska është e para në Grupin B me 9 pikë të grumbulluara, me bilanc prej 4 fitore e 1 humbje, kurse Peja është e fundit, por vetëm me 3 ndeshje të luajtura, prej tyre 2 fitore e 1 humbje.
Në anën tjetër Trepça është mysafire e Karpos Sokoli-t në Shkup, takim ky që do të luhet duke filluar nga ora 20:30.
Karpos Sokoli nga 6 ndeshje, ka bilanc prej 1 fitore e 5 disfata dhe ka grumbulluar 7 pikë që e kanë ngujuar në pozitën e pestë, derisa mitrovicasit janë në vendin e katërt me 2 fitore e 3 humbje.
Trepça e pati mposhtur Karpos Sokoli-n në xhiron e dytë të BIBL-it me rezultat të ngushtë 82:80.