Kryetari i FBK-së, Erolld Belegu, së bashku me disa anëtarë të Bordit të FBK-së dhe sekretarin gjeneral të FBK-së, Jeton Nixha, pritën në një takim përfaqësuesit e klubeve të Ligës së Parë të Kosovës.
Në këtë takim u diskutua për rrjedhën e kampionatit 2013/14, sikurse edhe për mundësinë për bashkëpunim më të mirë dhe zhvillimin e basketbollit.
Klubet kanë shfaqur vërejtje në performancën e gjyqtarëve këtë stinor, por të gjithë u pajtuan që seminaret dhe shkollimet e ndërmarra nga FBK dhe SHGJBK janë mënyra më e mirë për të evituar këtë problem.
Gjithashtu, klubet kanë falenderuar FBK-në për ndihmën e dhënë, që ka qenë për herë të parë këtë stinor dhe kërkuar që brenda mundësive të sigurohet edhe një sponsor për Ligën e Parë.
Për të ngritur bashkëpunimin në nivelin edhe më të lartë, klubet e kësaj lige përzgjodhën përfaqësuesin e KB Fushë Kosova, Bekim Dugolli, për të përfaqësuar interesat e tyre para FBK-së, ndërsa kryetari Belegu në saje të kompetencave statutore që ka ka emëruar Dugollin anëtar të Bordit të FBK-së.