Ethet e finales së “play-off”-it në ETC Superligën e Kosovës do të nisin të dielën, ku do të ballafaqohen dy rivalët e vjetër dhe të përbetuar, Sigal Prishtina e Peja. Të dy këto skuadra kanë luftuar për trofe në tri vitet e fundit, ndërsa rivaliteti në këtë edicion është në nivel të lartë, e këtë më së miri e dëshmon fakti se Peja e ka fituar Ipko Kupën e Kosovës duke e mposhtur në finale pikërisht Prishtinën. Megjithatë kjo e fundit ka triumfuar në Superkupën e Kosovës dhe së fundi edhe në Ligën Ballkanike (BIBL).
Këto suksese bëjnë që të dyja ekipet të hyjnë të motivuara në fushë për të dhënë më të mirën e tyre, por në të njëjtën kohë edhe për t’i kënaqur tifozët e tyre dhe adhuruesit e basketbollit kosovar.
Ndeshja e parë ndërmjet Prishtinës dhe Pejës do të zhvillohet të dielën me fillim nga ora 20:30 në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve në kryeqytet.
Prishtina për të depërtuar në finale nuk e kishte aq vështirë, pasi e ka eliminuar Golden Eagle Yllin nga Theranda me rezultatin në seri 3:0 në gjysmëfinale të garave shtesë. Ndërkaq Peja është djersitur pak më shumë pasi është dashur t’i luaj katër ndeshje për t’u kualifikuar në finalen e madhe. Verdhezinjtë e kanë mposhtur Kosova e Re Bashkimin nga Prizreni me rezultatin në seri 3:1 në gjysmëfinale të “play-off”-it.
Këtë edicion, Prishtina dhe Peja kanë nga dy fitore në takimet e ndërsjella në kampionat.
Prishtina është kampione aktuale dhe edicionin e kaluar e kishte mposhtur pikërisht Pejën 3:0 në seritë finale.
Sistemi i serisë finale në këtë edicion është 1-1-1-1-1, ku përparësinë e terrenit vendas e ka Prishtina, pasi që ka përfunduar në vendin e parë në renditjen tabelare gjatë edicionit të rregullt dhe seria në çdo lojë do të bartet në palestrën e ekipit tjetër, e fitues i titullit do të shpallet skuadra që arrin 3 fitore nga 5 ndeshje të mundshme.
Prishtina dhe Peja, pesë herë janë ndeshur në finale të “play-off”-it të pasluftës. Prishtina dy herë ka triumfuar 3:0 dhe një herë 3:1, kurse Peja ka fituar dy herë 3:0, më 2004 dhe 2013.
Ja çfarë mendojnë trajnerët e këtyre dy skuadrave, Marjan Ilievski i Prishtinës dhe Boris Kurtoviç i Pejës për ndeshjen e së dielës dhe për serinë finale:
Marjan Ilievski: “Është një atmosferë shumë e mirë në skuadër dhe pres që të kemi mbështetjen e tifozëve tanë në serinë finale. Do të jetë një ndeshje e fortë ndaj Pejës dhe nuk do ta kemi lehtë. Nuk do ta nënçmojmë skuadrën kundërshtare, përkundrazi ne do të hymë në lojë me seriozitetin më të madh dhe të tregojmë lojën tonë, siç kemi treguar në stinorin pranveror”.
Boris Kurtoviç: “Ne jemi të gatshëm për këtë ndeshje dhe pres nga lojtarët e mi që të japin maksimumin. Besoj se nuk do të mungoj angazhimi nga ana e tyre dhe kjo është ajo që kërkoj nga ata. Kemi humbur dy herë bindshëm nga Prishtina, por kjo nuk guxon të ndodhë në finale. Nuk do të jetë lehtë. Natyrisht si trajner duhet të jem optimist. Por, këto janë finale dhe duhet të shkojmë ndeshje pas ndeshje. Finaleve nuk i dihet kurrë dhe shpresoj se nuk do të kemi lëndime, që është shumë e rëndësishme”.