Të shtunën nisin ethet e finales së play-off-it në Superligën e Kosovës në basketboll.
Me fillim nga ora 19:00 në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve në kryeqytet, Sigal Prishtina është nikoqire e Bashkimit nga Prizreni.
Sigal Prishtina dhe Bashkimi në gjysmëfinale pa ndonjë vështirësi të madhe i kanë mposhtur kundërshtarët e tyre, Trepçën, përkatësisht Pejën duke triumfuar me seri 3:0.
Seria finale do të luhet me tri fitore, pra ekipi që shënon aq fitore do të shpallet kampion i Kosovës për edicionin 2016/17. Sistemi i ndeshjeve është me vajtje-ardhje, pas çdo takimi.
Për bardhekaltrit kjo është finalja e 15-të që nga paslufta, kurse për portokallinjtë e dyta.
Kampione në fuqi është Sigal Prishtina, skuadër kjo që në këtë edicion e ka fituar edhe Kupën e Kosovës.