Të dielën, më 13 mars 2016 bëhet një vit që nga anëtarësimi i Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK) në Federatën Ndërkombëtare të Basketbollit (FIBA). FBK më 13 mars 2015 u pati bërë anëtarja e 215-të e FIBA-s.
Që nga ajo kohë e deri më tani basketbolli kosovar është përballur me sfida nga më të ndryshmet, por në të njëjtën kohë ka provuar edhe aventura të reja ndërkombëtare, ndërsa ne më poshtë do t’i paraqesim disa nga ngjarjet më të rëndësishme që e përshkuan vitin e pranimit të FBK-së në FIBA:
- Mars 2015, FBK ka arritur marrëveshje me organizatën nga SHBA, “The Basketball Embassy”, ndërsa trajneri amerikan, Chris Dial është emëruar koordinator për gjeneratë të reja në të dyja konkurrencat.
- Prill, FBK ka organizuar manifestim madhështor për nder të pranimit në FIBA. Mysafirë nderi në këtë ngajrje kanë qenë Kamil Novak, drejtor i FIBA Evropës dhe Drejtori Sportiv i FIBA-s, Lubomir Kotleba, të cilët kanë qëndruar në vizitë një-ditore në Kosovë dhe kanë zhvilluar takime me krerët e FBK-së dhe me zyrtarët më të lartë shtetëror.
- Prill, Tre gjyqtarë kosovarë kanë marr pjesë në “Scania Camp” në Södertälje të Suedisë, që është kampi më i madh për gjyqtarë të rinj në Evropë.
- Prill, Për herë të parë që nga pranimi me të drejta të plota në FIBA, Kosova ka marr pjesë në një takim zyrtar të nivelit të lartë të organizuar nga ky institucion. Bëhet fjalë për Takimin e 11-të, të Sekretarëve të Përgjithshëm të Federatave anëtare të FIBA Evropës në Munih të Gjermanisë. Në këtë takim është ftuar për të marr pjesë edhe sekretari i përgjithshëm i FBK-së, Leart Hoxha.
- Prill, Tre trajnerë kosovarë të grupmoshave të reja janë pranuar në programin e FECC-së (FIBA Europe Coaching Certificate) që do të zgjas dy vjet dhe më pas të njëjtit do të kenë mundësi edhe të certifikohen.
- Prill, Sigal Prishtina është shpallur kampione e Ligës Ballkanike (BIBL), pasi e ka mposhtur ekipin bullgar, Rilski Sportist në dy ndeshjet finale. Prishtina ka hyr në histori si skuadra e parë kosovare që e ka fituar një trofe në një garë rajonale. Basketbollisti i Sigal Prishtinës, Dardan Berisha është shpallur MVP i BIBL-it për edicionin 2014/15.
- Maj, Asambleja e Përgjithshme e FIBA Evropës në Maltë ka votuar në mënyrë unanime për pranimin e Kosovës në FIBA Evropë. Ashtu siç edhe pritej, FIBA Evropa e ka zyrtarizuar FBK-në si anëtaren e saj të 52-të, pasi FIBA e kishte pranuar Kosovën si anëtare në muajin mars. Në Asamblenë e Përgjithshme të FIBA Evropës, FBK-ja është përfaqësuar nga kryetari, Erolld Belegu dhe anëtari i Bordit, Arben Fetahu.
- Maj, Koordinatori teknik i FBK-së, njëherësh edhe gjyqtari kosovar, Faton Kurshumlija ka marr pjesë në Klinikën e FIBA Evropës për Instruktorë të Referimit në Freising të Gjermanisë. Kurshumlija e ka marr thirrjen e FIBA Instruktorit për Kosovë.
- Më 6 korrik Kosova ka debutuar në gara të FIBA-s. Këtë e ka bërë me Përfaqësuesen U-16 (meshkujt) në Kampionatin Evropian, Divizioni C në San Marino. Kosova U-16 e ka përmbyllur këtë aventurë në vendin e dytë, pasi në finale është mposhtur nga nikoqiri, San Marino. Në rrugë deri në finale Kosova e ka mposhtur në debutim Gjibraltarin, pastaj Monakon, Uellsin dhe Maltën.
- Korrik, Përfaqësuesja U-20 (Meshkujt) ka marr pjesë në Kampionatin Evropian, Divizioni B, që është mbajtur në Székesfehérvár të Hungarisë. Kosova U-20 bëri historinë duke arritur fitoren e parë në Divizionin B, pasi e ka mposhtur Gjeorgjinë, ndërsa më pas ka regjistruar fitore ndaj Rumanisë, duke përfunduar në vendin e 14, më lartë se Austria, Shqipëria, Rumania dhe Moldavia.
- Gusht, Sigal Prishtina i ka mësuar emrat e kundërshtarëve të saj në garën e re të FIBA Europe, të quajtur FIBA Europe Cup. Prishtina ka garuar në Grupin K së bashku me Energia Targu Jiu (Rumani), BC Astana (Kazakistan) dhe AEK Larnaca (Qipro). Prishtina nuk ka arritur ta kaloj fazën e grupeve, por ia ka dal ta përfaqësojë basketbollin kosovar denjësisht në këtë garë prestigjioze.
- Gusht, Përvec Sigal Prishtinës dhe Pejës, FBK për edicionin 2015/16 e ka nominuar edhe Bashkimin nga Prizreni për të garuar në Ligën Ballkanike.
- Shtator, Në organizim të FBK-së është mbajtur seminari për gjyqtarë dhe vëzhgues. Në këtë seminar ka ligjëruar instruktori i FIBA-s, Dragan Medan.
- Shtator, Në organizim të Shoqatës së Trajnerëve dhe të FBK-së dhe në mbështetje të FIBA Evropës është mbajtur seminari dy ditor për trajnerë, në të cilin ka ligjëruar prof.dr. Nenad Truniç dhe trajneri amerikan, Chris Dial.
- Shtator, Peja e ka fituar Salamander Superkupën e Kosovës, pasi në “Karagaci”e ka mposhtur Sigal Prishtinën.
- Tetor, FBK për herë të parë e ka nisur Programin Nacional për Zhvillim të Gjeneratave të Reja edhe në konkurrencën e femrave, pasi ka startuar me kampet përzgjedhëse të gjeneratave U-14, U-16 dhe U-18.
- Tetor, Sekretari i përgjithshëm i FBK-së, Leart Hoxha dhe anëtari i Bordit, Valton Bilalli kanë marr pjesë në Konventën e Mini-Basketbollit dhe Takimin Vjetor të U-14 në Vjenë të Austrisë.
- Nëntor, Është mbajtur Kuvendi i Punës së FBK-së, ku është prezantuar Veprimtaria e Punës për periudhën njëvjecare, si dhe janë prezantuar të gjitha raportet dhe në të njëjtën kohë është miratuar pakoja e ndryshimeve statutare, si dhe janë miratuar anëtëret e rinj të FBK-së dhe ata të Bordit. Po ashtu është prezantuar Plani i Veprimit për vitin 2016.
- Dhjetor, FBK e ka organizuar Klinikën për Trajnerë të Grupmoshave të Reja. Në këtë Klinikë ka ligjëruar koordinatori i gjeneratave të reja në FBK, Chris Dial.
- Dhjetor, FBK e ka organizuar turneun e Vitit të Ri për grupmoshën U-14. Në këtë turne kanë marr pjesë këto skuadra: Kerasan Prishtina, MegaSport, Vushtrria Basket dhe Peja. Me 2 fitore të realizuara, klubi i basketbollit Peja është shpallur fitues i këtij turneu.
- Janar 2016, FBK në bashkëpunim me Shoqatën e Gjyqtarëve e ka organizuar Klinikën për të gjithë gjyqtarët dhe vëzhguesit e saj, derisa ky aktivitet është udhëhequr nga instruktori nacional i FIBA-s, Faton Kurshumlija.
- Janar, Përfaqësueset U-16 të Kosovës (meshkuj/femra) i kanë zhvilluar secila nga dy ndeshje miqësore me Përfaqësueset U-16 të Bullgarisë (meshkuj/femra). FBK prej shtatorit të vitit të kaluar ka filluar me grumbullimet e këtyre grupmoshave, andaj edhe ka vendosur që të zhvillojë ndeshje miqësore me kategorinë deri në 16 vjeç në të dyja konkurrencat për të parë më për së afërmi formën e tyre. Kosova (meshkuj/femra) ka pësuar humbje në të gjitha duelet me Bullgarinë.
- Më 22 Janar në Munih të Gjermanisë është bërë tërheqja e shortit për kualifikimet për Kampionatin Evropian, i cili në vitin 2017 do të mbahet në katër shtete, Finlandë, Turqi, Izrael dhe Rumani. Në Munih të pranishëm ishin edhe kryetari i FBK-së, Erolld Belegu dhe sekretari i përgjithshëm, Leart Hoxha, të cilët kanë marr pjesë në këtë tërheqje të shortit pasi edhe Përfaqësuesja A e Kosovës për herë të parë në histori të saj do të jetë pjesë e këtyre kualifikimeve. Kosova do të garojë në Grupin E së bashku me Sllovevinë, Ukrainën dhe Bullgarinë.
- Janar, Përveç Përfaqësueses A të Kosovës që i ka mësuar kundërshtarët e saj të kualifikimeve për Eurobasket 2017, në të njëjtën kohë në Munih është bërë edhe tërheqja e shortit për Kampionatet Evropiane të të gjitha kategorive dhe në të dyja konkurrencat. FBK në vitin 2016 do të garojë edhe me 5 Përfaqësuese të kategorive të reja, prej tyre 3 të meshkujve dhe 2 të femrave e ato janë: Kosova U16-Divizoni B (meshkujt), Kosova U18-Divizoni C (meshkujt), Kosova U20 – Divizoni B (meshkujt), Kosova U16-Divizioni C (femrat) dhe Kosova U18 – Divizoni C (femrat).
- Shkurt, Sigal Prishtina dhe Penza janë shpallur fituese të Ipko Kupës së Kosovës për edicionin 2015/16. Turneu Final i Ipko Kupës së Kosovës i është besuar Sigal Prishtinës. Krahas bardhekaltërve në Turneun Final kanë marr pjesë edhe Bashkimi, Peja dhe Trepca. Prishtina e ka mposhtur Bashkimin në gjysmëfinale, kurse Peja ishte më e mirë se Trepca. Në finalen e femrave Penza e ka mposhtur Prishtinën.
- Shkurt, Është mbajtur Klinika për Gjyqtarët Kandidatë Potencial (Nacional) për thirrje të FIBA-s. Në këtë Klinikë kanë ligjëruar Davorin Nakiç, shef i Departamentit të Gjyqtarëve në FIBA Europe dhe Gjorgi Piperkov, instruktor i FIBA-s . Klinika është organizuar nga FIBA Europe në bashkëpunim me FBK-në. Gjashtë gjyqtarë kandidatë potencial të FBK-së kanë marr pjesë në këtë Klinikë, kurse dy kandidatë kanë qenë nga Shqipëria dhe një nga Maqedonia.
- Shkurt-Mars, Është mbajtur Kursi Intensiv për trajnerë të basketbollit, të cilin e ka udhëhequr instruktori i FIBA-s, slloveni Tone Krump. Kursi është organizuar nga FBK në bashkëpunim me Komitetin Olimpik të Kosovës (KOK) dhe Shoqatën e Trajnerëve. Kursi Intensiv dhjetë ditor është përkrahur nga Solidariteti Olimpik, fondacioni më i madh në kuadër të Komitetit Olimpik Ndërkombëtar (KON) për zhvillim të sportit në vende të ndryshme të botës.
- Gjatë vitit 2015 dhe atij 2016, FBK ka nënshkruar Memorandume të Bashkëpunimit me disa me Komuna të Kosovës në interes të zhvillimit të basketbollit ndër kategori të reja me programe unike të punës.
- FBK-së gjatë këtij viti i kanë qëndruar pranë sponsorët e saj, pa të cilët sigurisht se nuk do të kishte edhe një zhvillim të hovshëm të vetë federatës, por edhe të basketbollit kosovar në përgjithësi.
- FBK po ashtu në vitin e parë të pranimit në FIBA ka hasur mbështetje edhe nga Ministria e Sportit, bashkëpunim ky që pritet të thellohet edhe më shumë, duke marr parasysh aktivitetet e ngjeshura që i ka FBK në Planin e Veprimit për vitin 2016, duke përfshirë këtu ato vendore dhe ndërkombëtare.
- FIBA Evropa e ka mbështetur FBK-në me 24.950 euro, gjegjësisht punën e saj me kategori të reja pas aplikimit të FBK-së për Fondin për Zhvillim të Gjeneratave të Reja. Ky projekt në vete parasheh shtimin e numrit të ndeshjeve për grupmoshën U14, shtimin e numri të turneve për grupmoshën U12 dhe zhvillimin e kampeve edukative dhe përzgjedhëse për grupmoshën U14. Projekti do të zgjas 9 muaj, ka nisur në vitin 2015 dhe do të përfundoj në qershor të 2016-s.
- FBK gjatë këtij viti është përballur edhe me sfida dhe probleme të tjera, por që janë trajtuar nga organet e federatës në mënyrë të ligjshme dhe efikase.
Kampionët e edicionit 2014/15:
Sigal Prishtina – Meshkujt
Prishtina – Femrat
Kerasan Prishtina, TEB Liga U-12
Kalaja, TEB Liga e Pionierëve
Sharrcem Prishtina, TEB Liga e Juniorëve
Kerasan Prishtina, Liga e Parë e Meshkujve (anëtare e re e Superligës)
Sharrcem Prishtina, TEB Liga e Kadetëve
Fituesit e Kupave për edicionin 2014/15:
Peja – Meshkujt
Prishtina – Femrat
Sharrcem Prishtina, TEB Kupa për Juniorë
Sharrcem Prishtina, TEB Kupa për Kadetë
Kalaja, TEB Kupa për Pionierë