Zyra e Komisionit Evropian në Kosovë ka konfirmuar se palestra Minatori në Mitrovicë pritet të jetë e gatshme në fund të tetorit të këtij viti, nëse punët shkojnë sipas dinamikës së paraparë.
”Aktualisht janë kryer 85% e punëve në palestrën Minatori. Ka mbetur instalimi i sistemit të ngrohjes dhe ventilimit si dhe instalimi i pajisjeve sportive. Sipas informatave nga kontraktorët, data e përafërt e përfundimit të punimeve është fundi i tetorit”, thuhet në letrën që ka dërguar Komisioni Evropian në adresë të FBK-së.
Palestra Minatori është terreni vendës i KB Trepçës, klub që për shkak të punimeve në këtë palestër, dy sezonet e kaluara ka zhvilluar ndeshjet në Vushtrri dhe në palestra tjera në Kosovë.