Xhiroja e fundit (28) e edicionit të rregullt në Superligën e Kosovës në basketboll do të zhvillohet sot dhe nesër, derisa një ndeshje është luajtur të martën mbrëma ajo në mes Rahovecit dhe Sigal Prishtinës, ku fitore ka regjistruar kjo e fundit me rezultat 118:72.
Ndërkaq të mërkurën me fillim nga ora 17:00 në palestrën “Karagaçi”, Peja është nikoqire e Bashkimit në ndeshjen e cila edhe do të përcaktoj se cila prej këtyre dy ekipeve do të startoj nga pozita e dytë në garat shtesë të elitës së basketbollit kosovar, të cilat do të nisin në këtë fundjavë.
Në ndërkohë të enjten janë në program dy takime, një në Mitrovicë, ku Trepça e pret Kerasan Prishtinën duke filluar nga ora 19:00 dhe tjetra në Therandë ku Golden Eagle Ylli është nikoqir i Vëllaznimit, po ashtu me fillim nga ora 19:00.
Duhet theksuar se tashmë është përcaktuar katërshja, që do të garoj në “play-off”: Sigal Prishtina, Peja, Bashkimi dhe Trepça, por që tashmë ka mbetur të përcaktohet se cila prej dy klubeve, Peja apo Bashkimi do të nisin fazën përfundimtare të garave nga vendi i dytë.