Të mërkurën duke filluar nga ora 19:30 në “Karagaçi” do të ballafaqohen Peja dhe Teodo e Tivatit të Malit të Zi në kuadër të xhiros së tretë të grupit B të Sigal Uniqa Ligës Ballkanike (BIBL).
Teodo deri më tani ka regjistruar dy fitore nga dy ndeshje të zhvilluara, derisa Peja ka një humbje me Bashkimin.
Alban Veseli, basketbollist i Pejës: “Mendoj se të mërkurën është koha të shënojmë fitoren e parë në Ligën Ballkanike. Jemi mjaft të përgatitur dhe të motivuar për këtë ndeshje. Shpresoj në një atmosferë e bukur dhe pres nga tifozët e Pejës që të vijnë të na përkrahin në numër sa më të madh dhe t’i gëzohemi një fitore shumë të rëndësishme për ne. Personalisht jam shumë optimist se do të fitojmë dhe javën tjetër do të jemi të parët e grupit”.
Dragan Radoviq, trajner i Teodo-s: “Javën e kaluar kemi shënuar fitore jashtëzakonisht të rëndësishme ndaj Bashkimit. Kjo fitore ishte e rëndësishme para ndeshjes me Pejën. Do të japim më të mirën tonë të shënojmë fitore në ‘Karagaçi’ edhe pse jemi të vetëdijshëm se nuk do të jetë aspak lehtë”.