Dyshja që përfundoi në krye të ETC Superligës në stinorin e rregullt, Sigal Prishtina dhe Peja, kanë arritur të shënojnë fitore në duelet e para gjysmëfinale ndaj Trepçës, përkatëisht Bashkimit.
Peja në ndeshjen e zhvilluar mbrëmë ka kaluar jo lehtë ndaj prizrenasve të motivuar, por sidoqoftë ka arritur të shënojë fitore me rezultat 104-99 për të dalë 1-0 në epërsi të serisë, që luhet deri në dy fitore të njërës skuadër.
Nëse Bashkimi do të arrijë fitore në ndeshjen e radhës të këtij dueli, atëherë seria vazhdon në ndeshjen vendimtare në Karagaç, ku përcaktohet njëri finalist.
Ndërkaq, Sigal Prishtina ka arritur të shënojë fitore 79-66 ndaj mitrovicasve, në një duel ku u shënuan pak pikë krahasuar me gjysmëfinalen tjetër.
Sidoqoftë, prishtinasit tani do të ndjekin fitoren e dytë në ndeshjen e radhës që Trepça do ta luaj si vendase për të shkuar në finale. Në të kundërtën, pra nëse mitrovicasit arrijnë fitore, seria do të vendoset në Pallatin e Rinisë dhe të Sporteve.