Alban Veseli ishte heroi i Pejës në ndeshjen e parë finale të “play-off”-it në Superligën e Kosovës. Verdhezinjtë sonte në “Karagaçi” në prani të rreth 2500 shikuesve e kanë mposhtur Sigal Prishtinën me rezultat 77:76 (23:15, 18:26, 16:20, 20:15). 12 sekonda pa përfunduar takimi bardhekaltrit ishin në epërsi me rezultat 75:76, por pejanët në aksionin e fundit ia dolën të shënojnë falë Veselit.
Rivaliteti në parket ishte ashtu edhe siç është pritur, ku të dyja skuadrat e dhanë maksimumin e tyre, ndërsa kulmi arriti në çerekun e katërt, pra atëherë edhe kur pritej të ndodhte. Pra drama e vërtetë ishte e rezervuar për në dhjetëminutëshin e fundit duke i mbajtur kështu në ankth tifozët në palestër dhe më gjerë. Sekondat e fundit ishin mjaft delikate, por skuadra pejane ishte më e shkathët falë Veselit, të cilit nuk iu dridh dora në çastet e fundit, duke i dhuruar kështu fitoren Pejës me një pikë dallim (77:76).
Më efikasit te nikoqirët ishin Roland Davis me 16 pikë, Alban Veseli me 16, Drilon Hajrizi me 12, Kevin Burwell me 12 dhe Fisnik Rugova me 12 sosh. Në anën tjetër te mysafirët më të dalluarit ishin Andrew Warren me 16 pikë, Edmond Azemi me 15, Jason Washburn me 12 dhe Dardan Berisha me 12.
Ndeshja e dytë finale pritet të zhvillohet në mesjavë në kryeqytet. Skuadra që shënon tri fitore do të shpallet kampione e Kosovës për edicionin 2015/16. Kampione në fuqi është skuadra nga kryeqyteti.