Peja e ka shënuar fitoren e dytë radhazi në Grupin B të Sigal Uniqa Ligës Ballkanike pasi të mërkurën në "Karagaçi" e ka mposhtur skuadrën nga Sofja e Bullgarisë, Levski 2014 me rezultat 75:68. Të dyja ekipet kanë luftuar për 40 minuta, por në fund ishin nikoqirët që për të triumfuar e kanë marr kontrollin e lojës në fund të çerekut të tretë dhe kështu nuk kanë heq dorë asnjëherë nga epërsia deri në përmbyllje të takimit.
Dy skuadrat kanë qenë të shtrënguara të luajnë pa lojtarët e tyre kyç. Te Peja ka munguar për shkak të lëndimit në nyjën e këmbës kroati Nenad Deliq, kurse te Levski 2014 nuk është paraqitur Aleksandar Yanev, i cili është larguar pak ditë më parë nga kjo skuadër. Kjo është arsyeja pse klubi bullgar është paraqitur me 9 lojtarë, derisa edhe Aleks Simeonov është lënduar vetëm tre minuta pasi që ka filluar ndeshja.
Më i dalluari te Peja ishte Kevin Burwell me 20 pikë, kurse Alban Veseli dhe Drilon Hajrizi kanë shtuar secili nga 12 pikë dhe Fisnik Rugova ka kontribuar me 10 sosh. Te Levski 2014 më efikasi ishte Hristo Nikolov me 24 pikë e 7 kërcime, kurse Ilija Milutunoviq ka shtuar 16 pikë e 8 kërcime, derisa Tyler Laser ka realizuar 11 pikë, 9 kërcime e 8 asistime.
Branimir Paviq, trajner i Pejës: “Luajtëm mirë, por ajo çfarë është më e rëndësishmja është se praktikuam lojë ekipore dhe kjo na solli rezultatin pozitiv. Të gjithë basketbollistët e dhanë maksimumin për të arritur deri te triumfi. Në çastet e fundit të takimit ia dolëm t’i bëjmë ballë presionit të kundërshtarit dhe kështu bëmë që dy pikët të mbesin në ‘Karagaçi’”.
Nikolay Gospodinov, trajner i Levski 2014: “Ne kemi një ekip të ri, ku u pa qartë se na mungonte përvoja në çastet kur nevojitej të thyhej ndeshja. Bëmë gabime, atëherë kur nuk duhej dhe këtë e bënë një klub me përvojë jo të mjaftueshme. Sidoqoftë ne presim të përmirësohemi në vazhdim të garës në BIBL dhe jam optimist se do të bëjmë më mirë”.
Peja në start të edicionit në BIBL është mposhtur nga Bashkimi në Prizren (82:73), kurse ka triumfuar në “Karagaçi” kundër Teodo-s nga Tivati i Malit të Zi (83:79) dhe tani ndaj Levski 2014.
Në anën tjetër Levski 2014 ishte skuadër më e mirë se Lovcen Basket (99:72) dhe se Bashkimi (77:60), kurse së fundi është mundur nga Peja.
Peja - Levski 2014 75:68 (22:20, 19:20, 16:10, 18:18)
Palestra e Sportit “Karagaçi” në Pejë
Shikues: rreth 1200
Gjyqtarë: Z. Ruteshiq, M. Kaluxheroviq, H. Bijediq.
Peja: Kadusha, Mekaj 2, Rugova, 10, Veseli 12, Grapci 2, Hajdari, Hajrizi 12, Muldrow 7, Burwell 20, S. Zekiqi, B. Zekiqi.
Levski 2014: Haxhirusev 2, Simeonov, Laser 11, Ivanov 8, Nikolov 24, Milutinoviq 16, Petkov 2, Ivkov, Minchev 5.
Grupi B
Lovcen Basket - Bashkimi 66:75
Peja - Levski 2014 75:68
Tabela
1. Bashkimi 2 2 6
2. Levski 2014 2 1 5
3. Teodo 2 1 5
4. Peja 2 1 5
5. Lovcen Basket 0 3 3