Peja ka triumfuar në ndeshjen e tretë gjysmëfinale të “play-off”-it në ETC Superligën e Kosovës ndaj Kosova e Re Bashkimit me rezultat 94:58 në ndeshjen e luajtur të shtunën mbrëma në palestrën e sporteve “Sezai Surroi” në Prizren.
Verdhezinjtë ishin më të mirë se portokallinjtë në të gjithë çerekët e lojës dhe kështu më lehtë sesa është pritur kanë shënuar fitore si mysafirë. Në këtë mënyrë pejanët u hakmorën për humbjen në ndeshjen e dytë, e cila ishte edhe befasuese për adhuruesit e basketbollit kosovar.
Ndeshjen e katërt gjysmëfinale Peja do ta zhvillojë në javën e ardhshme para tifozëve të saj dhe në rast fitoreje, atëherë do të kualifikohet për në finale, pa pasur nevojë për ta luajtur edhe ndeshjen e pestë. Çifti tjetër i gjysmëfinales së ETC Superligës përbëhet nga Sigal Prishtina dhe Golden Eagle Ylli. Bardhekaltrit avancojnë ndaj therandasve me rezultat 1:0 në seri, ndërsa duelet e tyre janë shtyrë për t’u zhvilluar më vonë për shkak se Prishtina është duke u përgatitur për ndeshjen e dytë finale të Ligës Ballkanike (BIBL).