Peja ka triumfuar kundër Sigal Prishtinës në derbin e xhiros së dytë të Superligës së Kosovës në basketboll të zhvilluar para rreth 2000 shikuesve sonte në “Karagaci”.
Ndeshja ka përfunduar me rezultat 81:73 dhe atë vetëm pas vazhdimeve, pasi pjesa e rregullt është përmbyllur me shifrat e barabarta 67:67.
Bardhekaltrit e kanë hapuar mjaft mirë takimin duke dominuar në 20 minutat e para, pas të cilave shkuan në pushim me rezultat 32:24. Mirëpo në pjesën e dytë u këndua një këngë krejt tjetër, pasi tani ishin verdhezinjtë ata që morën lojën nën kontroll, duke mos e lejuar Prishtinën të përsëritë lojën e 20 minutave të para. Por minutat e fundit të ndeshjes dhuruan atë që dinë ta dhurojnë sa herë takohen këto dy skuadra të mëdha, e ajo është rivaliteti dhe ethet e mëdha për të gjithë adhuruesit e pranishëm në palestër, por edhe ata që i ndiqnin nëpërmjet ekraneve televizive. Në këtë mënyrë pas 40 minutave ndeshja nuk nxorri fitues dhe kështu u desh të zhvilloheshin edhe 5 minuta shtesë për t’u përcaktuar fituesi i kësaj kryendeshje.
Në pesë minutat shtesë ishin nikoqirët ata që luajtën më mirë dhe në fund i gëzuan tifozët e tyre “Shqiponjat” duke e regjistruar fitoren e dytë radhazi në elitën e basketbollit kosovar dhe të tretën në përgjithësi, duke llogaritur edhe triumfin në Sigal Uniqa Ligën Ballkanike (BIBL) kundër Feni Industries nga Maqedonia.
Në anën tjetër për Prishtinën kjo ishte disfata e tretë me radhë, pas asaj ndaj Bashkimit në Superligë dhe Beroe-s në Ligën Ballkanike.