Ndeshja e parë gjysmëfinale e “play-off”-it në Ligën e Femrave, ndërmjet Penzës dhe Bashkimit do të zhvillohet të enjten me fillim nga ora 19:30 në “Karagaçi” të Pejës.
Pejanet vlerësohen favorite jo vetëm në duelet karshi prizrenaseve, por edhe për ta fituar titullin e kampionit, duke marr parasysh formën e mirë që e kanë treguar gjatë edicionit të rregullt.
Penza është i vetmi ekip që në 20 xhiro të edicionit të rregullt nuk e ka regjistruar asnjë humbje, duke e lënë pas vetes Prishtinën, të cilën e ka mposhtur 2 herë dhe janë këto të vetmet disfata për bardhekaltrat në pjesën e rregullt të elitës së basketbollit femëror në vendin tonë.
Në anën tjetër Bashkimi e ka përmbyllur edicionin në pozitën e katërt me 14 fitore e 6 humbje, 2 prej tyre nga Penza, 2 nga Prishtina dhe 2 nga Trepca.
Duhet theksuar se pejanet në këtë edicion tashmë e kanë fituar një trofe, Ipko Kupën e Kosovës, duke e mposhtur në finale pikërisht Prishtinën. Kjo e fundit është kampione në fuqi.