Në fundjavën që e lamë pas në organizim të Komitetit Olimpik të Kosovës (KOK) dhe në bashkëpunim me Federatën e Basketbollit të Kosovës (FBK) është mbajtur Kursi Bazik për Administratorë të Sportit/Basketbollit në hotel “Sirius” në Prishtinë.
Kursi treditor është përkrahur nga Solidariteti Olimpik, fondacioni më i madh në kuadër të Komitetit Olimpik Ndërkombëtar (KON), për zhvillim të sportit në vende të ndryshme të botës.
Në Kursin tre-ditor janë ftuar dhe përzgjedhur nga FBK për të marr pjesë anëtarë të Bordit të FBK-së, zyrtarë të klubeve të Superligës, Ligës së Femrave, Ligës së Parë dhe Ligës së Dytë. Po ashtu kanë qenë anëtarët e stafit të zyrës, si dhe disa trajnere dhe gjyqtare (femra).
Ligjërues të Kursit ishin: Besim Hasani, drejtor i programit për kurse/SO-KON, Ibër Alaj, MEMOS 19, SO-KON/drejtor programi, Elda Gjoka, drejtoreshë e kursit kombëtar, IOC-OS, kurse të ftuar ishin edhe Shqipe Bajçinca Brestovci, Dr. e Shkencave të Kulturës Fizike dhe Sportit, si dhe Fitim Arifi, menaxher në Departamentin e Sportit në MKRS.
Kursi ka qenë shumë i mirëseardhur për të gjithë pjesëmarrësit, kurse janë certifikuar vetëm ata persona që kanë qenë në tri ditët e Kursit, derisa të tjerëve që kanë munguar nga një ditë (me arsye) do t’u jepet një rast tjetër në fillim të vitit të ardhshëm për t’u certifikuar.