Sigal Prishtina të martën është mposhtur në Targu Jiu të Rumanisë nga skuadra e Energia-s me rezultat 87:72 (27:14, 18:14, 24:19, 18:25) në kuadër të xhiros së parë të Grupit K të edicionit të rregullt të FIBA Europe Cup.
Nikoqirët prej minutës së 3-të të takimit kur edhe krijuan epërsi prej 5 pikëve (11:6) nuk u ndalën më, por bënë që ky avantazh të thellohej sa vinte e kalonte koha. Në minutën 8-të epërsia e rumunëve thellohet në 15 pikë (27:12), kurse në minutën e 20-të rezultati shënonte 45:28 në të mirë të tyre. Në çerekun e tretë basketbollistët e Energia-s startuan edhe më vrullshëm duke mos e lejuar Prishtinën që të bëjë kthesë në rezultat. Në minutën e 25-të vendasit e rritën epërsinë në 28 pikë (60:32), falë lojës së mirë të Anthony Miles, Lamont Mack e Porter Troupe. Në çerekun e katërt mysafirët luajtën më mirë, por ishte tepër vonë që të bënin diçka më tepër, përveç që ia dolën ta zvogëlonin disavantazhin në fund të takimit në 15 pikë (87:72).
Anthony Miles me 20 pikë, Porter Troupe me 18 dhe Lamont Mack me 17 kanë shkëlqyer në radhët e Energia-s. Në anën tjetër te Prishtina më efikasit ishin Khalid El-Amin me 20 pikë e Mohamed Abukar me 15 sosh.
Bardhekaltrit ndeshjen e radhës në kuadër të FIBA Europe Cup do ta zhvillojnë më 4 nëntor në kryeqytetin kosovar, kur e presin Astana-n nga Kazakistani.
Prishtina bën gara në Grupin K të FIBA Europe Cup së bashku me Energia Targu-Jiu (Rumani), Astana (Kazakistan) dhe Petrolina AEK Larnaca (Qipro).
Ky është edicioni inaugurues i FIBA Europe Cup, në të cilin do të garojnë 56 klube të ndara në 2 Konferenca dhe në 14 Grupe.
Energia-S. Prishtina 87:72(27:14, 18:14, 24:19, 18:25)
Palestra e sportit në Targu Jiu.
Energia: Miles 20, Sanda, Troupe 18, Eziukwu 12, Andrei, Santa, Mihuti, Mack 17, Radosavljeviq 8, Aktas, Gutoaia 12.
S. Prishtina: Kaçaniku, Azemi 4, Chekovski 9, Berisha 6, Mohammed 3, Sinani 3, Marinov 7, Morina 5, Abukar 15, K. El-Amin 20, Mazreku, Hasani.