Kryendeshja e xhiros së XXV në elitën e basketbollit kosovar, do të luhet të dielën në “Karagaçi”, ku Peja e pret Sigal Prishtinën me fillim nga ora 19:30.
Prishtina i ka realizuar katër fitore radhazi ndaj Pejës në pjesën e dytë të edicionit, duke llogaritur këtu të gjitha garat, Superligën, Kupën e Kosovës dhe Ligën Ballkanike. Peja tri herë i ka mposhtur bardhekaltrit, por kjo ka ndodhur në vitin 2015, më saktësisht në stinorin vjeshtor.
Kryeqytetasit i kanë regjistruar 24 fitore në vitin 2016, në të gjitha garat dhe të gjitha këto nën udhëheqjen e trajnerit të ri, qipriotit, Antonis Constantinides. Ky i fundit nuk dëshiron të ndalet me kaq, por kërkon më shumë.
Pavarësisht faktit se kjo ndeshje nuk ndryshon asgjë në renditjen tabelare edhe në rast fitoreje edhe në rast humbjeve për të dyja skuadrat, Constantinides ka thënë se dëshiron të vazhdojë me ecurinë pozitive, sepse një gjë e tillë sipas tij është shumë e rëndësishme për ngritje të moralit dhe të motivimit të ekipit të tij.
Antonis Constantinides, trajner i Sigal Prishtinës: “Jemi të vetëdijshëm se humbëm apo fituam nuk luan rol për renditjen tabelare. Megjithatë për mua si trajner luan rol dhe unë dua të fitojmë, sepse ne duam të vazhdojmë me serinë pozitive që e kemi nisur në vitin 2016, prej se unë jam në krye të Prishtinës. Po ashtu kemi nevojë për këtë fitore në mënyrë që të motivohemi edhe më shumë para ndeshjes së dytë gjysmëfinale në Ligën Ballkanike, por edhe para garave të play-off-it në Superligën e Kosovës. Pra ne shkojmë në Pejë për t’u kthyer me rezultat pozitiv në Prishtinë. Nuk do të jetë lehtë, sepse kundërshtari ka ekip të mirë përkundër mungesave që i kanë në skuadër”.
Alban Veseli, basketbollist i Pejës: “Ndonëse kemi mungesa në përbërje ne do të hyjmë në këtë ndeshje për të shënuar fitore. Është një derbi ku takohemi rivalët e vjetër dhe për këtë arsye do të bëjmë përpjekje maksimale që të triumfojmë para shikuesve tanë”.