Federata e Basketbollit e Kosovës (FBK) së bashku me KB Sigal Prishtinën sot kanë organizuar konferencë të përbashkët për media në zyrat e FBK-së, me ç’rast i kanë shpalosur detajet e Turneut Final të Ipko Kupës së Kosovës. Sigal Prishtina është organizatore e kësaj ngjarje madhështore, pasi që ditë më parë i ka plotësuar të gjitha kushtet e parashtruara në konkursin e shpallur nga FBK-ja.
Të pranishëm në konferencë ishin sekretari i përgjithshëm i FBK-së, Leart Hoxha dhe përfaqësuesi i Sigal Prishtinës, Luan Maloku.
Turneu Final i Ipko Kupës së Kosovës do të zhvillohet më 12 dhe 14 Shkurt 2016 në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë.
Të premten në gjysmëfinalen e parë, e cila do të zhvillohet me fillim nga ora 17:00 do të përballen KB Peja – KB Trepça, kurse ndeshja e dytë gjysmëfinale do të luhet duke filluar nga ora 19:45, ku do të takohen KB Bashkimi – KB Sigal Prishtina. Ndërkaq finalet në të dyja konkurrencat do të zhvillohen të dielën me fillim nga ora 17:00 dhe 19:45. Në finalen e femrave do të ballafaqohen Prishtina dhe Penza nga Peja.
Të gjitha ndeshjet e Turneut Final të Ipko Kupës së Kosovës do të transmetohen drejtëpërdrejtë në SuperSport Kosova.
Ceremonia hapëse e kësaj ngjarje madhështore për basketbollin kosovar do të bëhet të premtën ndërmjet dy ndeshjeve gjysmëfinale.
Leart Hoxha, sekretar i përgjithshëm i FBK-së: “Ne si federatë i kemi bërë të gjitha përgatitjet e duhura për këtë ngjarje, e cila për ne është ndër më të rëndësishmet për këtë vit. Kupa e Kosovës po organizohet për herë të parë në Prishtinë që nga viti 2011 dhe ne besojmë se Sigal Prishtina do t’i kryej të gjitha obligimet që i ka në bazë të kontratës dhe do të organizoj këtë ngjarje, e cila besojmë se do të jetë madhështore. Po ashtu ne jemi të bindur se për këto dy ditë do të kemi rastin të shohim basketboll cilësor, i cili do t’i kënaq të gjithë adhuruesit e basketbollit që do të jenë të pranishëm në palestër, por edhe ata që do ta ndjekin në transmetim në SuperSport Kosova. Po ashtu dua të bëjmë të ditur se muaji shkurt tani e tutje do të jetë ai në të cilin çdo vit do të organizohet Turneu Final i Kupës së Kosovës, gjithnjë kjo duke iu përshtatur kalendarit të FIBA-s”.
Luan Maloku, përfaqësues i KB Sigal Prishtina: “KlubiSigal Prishtinatashmë është dëshmuar për organizime të eventeve të mëdha dhe rasti më i mirë është ai i ‘Final Four’-i të Ligës Ballkanike. Ne premtojmë se do të kujdesemi maksimalisht që gjithçka të shkoj ashtu siç duhet sa i përket organizimit të Turneut Final të Ipko Kupës së Kosovës duke marr parasysh edhe faktin se kjo ngjarje është edhe jetike për Federatën e Basketbollit të Kosovës, kur dihet se gjatë verës Përfaqësuesja e Kosovës do të luaj ndeshjet historike kualifikuese për Kampionatin Evropian. Në Turneun Final do të jenë të pranishëm të gjithë tifozët e ekipeve pjesëmarrëse, të cilëve ju bëjë edhe thirrje për qasje sa më pozitive, pasi ky do të jetë një tjetër test për ne si klub, por edhe për federatën në përgjithësi. Policia është deklaruar e gatshme për të na ndihmuar në këtë aktivitet dhe ajo do të jetë vazhdimisht në përcjellje të klubeve, tifozëve dhe zyrtarëve të tjerë të pranishëm në palestër”.
Të enjten Sigal Prishtina do të organizoj konferencë për media, ku të pranishëm do të jenë përfaqësuesit e saj, të FBK-së, si dhe katër kapitenët e ekipeve pjesëmarrëse. Gjithashtu këtë ditë do të akreditohen edhe mediat që do ta përcjellin këtë ngjarje.
Çmimi i biletave për dy ndeshjet gjysmëfinale do të jetë 2 euro, kurse për finalet e së dielës do të jetë 3 euro.
Fituese të Ipko Kupës së Kosovës për edicionin 2014/15 janë Peja te meshkujt dhe Prishtina te femrat.