Ndeshjet e xhiros së tetë dhanë përfundime të pritshme dhe shërbyen si paralajmërim për dy xhirot e ardhshme që zhvillohen brenda një jave kalendarike dhe pritet të japin basketboll shumë të fortë dhe interesant.
Në ndeshjen e parë të xhiros, Sigal Prishina e mposhti Vëllaznimin. Kampioni aktual i Kosovës pas humbjes në ligën BIBL iu kthye fitoreve në ETC Superligë edhe pse nuk dha shfaqje bindëse me të cilën do të tregonte se është favorit edhe për ndeshjet tjera, përfshi atë me Pejën, të enjten.
Sigal Prishtina e fitoi ndeshjen me rezultat 83:76. Edhe pse rezultati duket i ngushtë, fitorja e ekipit vendës nuk u rrezikua asnjëherë.
Dardan Berisha me 22 pikë edhe në këtë ndeshje ishte basketbollisti i cili tentoi dhe shënoi më së shumti .
Lojtari më i mirë i Vëllaznimit ishte Philip Brooks me 18 pikë dhe 5 asistime.
Trepça e mposhti Kastriotin me 25 pikë dallim 98:73. Ekipi vendës, që vazhdon të luajë në Drenas, epërsinë prej 25 pikëve e arriti qysh në çerekun e parë të cilin e përfundoi 36:11.
Aty e tutje u panë edhe 30 minuta basketboll përgjatë të cilit të dyja ekipet kishin luhatje në lojë, por epërsia e Trepçës i mundësonte lojë komode.
Kosova e re Bashkimi në xhiron e tetë priti Golden Eagle Yllin. Kjo ishte ndeshja më interesante e javës dhe pas 30 minutave ekipet hynë në çerekun e fundit me rezultat 54:54.
Pikërisht në këtë periudhë, saktësia më e madhe në gjuajtjet nga distanca dhe në gjuajtjet e lira e bëri diferencën dhe Kosova e Re Bashkimi u shkëput në rezultat 3-4 minuta para fundit duke siguruar finish të qetë të ndeshjes, që u zhvillua në praninë e rreth 1500 vetave, gjysma prej të cilëve kishin udhëtuar nga Suhareka për të përkrahur mysafirët.
Kreshnik Juniku me 18 pikë ishte basketbollisti më i mirë për Kosova e Re Bashkimin, kurse për Golden Eagle Yllin u dallua Najee White me 25 pikë dhe 15 kërcime.
Ndeshja e fundit e kësaj xhiroje ishte derbi lokal ndërmjet Pejës dhe Besës. Ngjashëm me Sigal Prishtinën, edhe Peja hyri në këtë ndeshje duke menduar për duelin e së enjtes.
Sidoqoftë, ekipi që ishte teknikisht mysafir në Karagaç, e kontrolloi lojën, sidomos që nga çereku i dytë e tutje dhe shënoi fitore të lehtë me rezultat 102:79