Të mërkurën në palestrën “13 Qershori” në Suharekë ka nisur Final 8 i Kupës së Kosovës në basketboll.
Në program ishin dy ndeshje çerekfinake, Rahoveci – Kerasan Prishtina dhe Golden Eagle Ylli-Borea.
Në ndeshjen e parë fitore ka realizuar Rahoveci dhe atë me mjaft vështirësi kundër Kerasan Prishtinës me rezultat 81:74, kurse në duelin e dytë ka triumfuar ekipi nikoqir ndaj atij pejan me rezultat 106:96.
Të dyja ndeshjet janë përshkuar me rivalitet të madh në parket dhe kanë qenë vetëm minutat e fundit, atëherë kur edhe janë përcaktuar fituesit e takimeve.
Pavarësisht paralajmërimeve të skuadrës organizatore, Golden Eagle Ylli se do të marr masa që palestra të jetë e ngrohtë për Final 8 të Kupës së Kosovës, kjo nuk ndodhi për shkak të problemeve të mëdha që hasën organizatorët së pari me ndërprerjen e rrymës dhe më pas edhe me problemet me ngrohjen në palestër.
Në ndeshjen e parë basketbollistët kanë luajtur në temperatura dukshëm më të ulëta sesa që shkruhet në Udhëzuesin për organizimin e Final 8 të Kupës së Kosovës dhe në kontratën që është nënshkruar në mes FBK-së dhe KB Golden Eagle Yllit pas plotësimit të kushteve nga kjo e fundit për organizimin e këtij eventi.
Pas përfundimit të ndeshjeve të para çerekfinale, Federata e Basketbollit të Kosovës (FBK) ua ka bërë shumë të qartë organizatorëve të Final 8 të Kupës së Kosovës, që gjërat që ndodhën ditën e mërkurë nuk do të tolerohen dhe se duhet krijuar kushtet sipas kontratës dhe udhëzuesit. Në anën tjetër zyrtarët e KB Golden Eagle Ylli kanë kërkuar falje për problemet që janë krijuar me rrymë dhe me ngrohje në palestër dhe janë zotuar se gjithçka do të rregullohet për ditën e enjte.
Gjithashtu të mërkurën ka nisur edhe ka filluar Klinika për Gjyqtarët Kandidatë Potencial (Nacional) për thirrje të FIBA-s. Klinika po udhëhiqet nga drejtori i Departamentit të Gjyqtarëve në FIBA Evropë, Davorin Nakiç (Kroaci), ndërsa ligjerues janë instruktorët e FIBA-s, Gjorgji Piperkov (Maqedoni) dhe Faton Kurshumlija (Kosovë). Pjesëmarrës të Klinikës janë 9 gjyqtarë potencialë, 4 nga Kosova dhe 5 të tjerë nga shtetet si, Greqia, Mali i Zi dhe Maqedonia.
Duhet theksuar se pikërisht gjyqtarët e kësaj Klinike janë ata që do të ndajnë drejtësinë në ndeshjet e Final 8 të Kupës së Kosovës, duke përjashtuar finalet e së dielës në të dyja konkurrencat, të cilat do të drejtohen nga gjyqtarët vendor.