Ndeshja më interesante e xhiros së VI-të në Superligën e Kosovës në basketboll do të zhvillohet të dielën në palestrën e sportit “Minatori” në Mitrovicë me fillim nga ora 18:00, ku Trepça është nikoqire e Sigal Prishtinës.
Sa herë janë përballur këto dy skuadra gjithnjë rivaliteti ka qenë në nivelin më të lartë të mundshëm, ndërsa edhe atmosfera e krijuar nga tifozët ka qenë fantastike, andaj edhe kësaj radhe nuk ka arsye pse të jetë ndryshe.
Trepça së fundi është mposhtur nga Bashkimi në kuadër të xhiros së pestë të elitës së basketbollit kosovar dhe do të bëjë përpjekje që të përmirësoj bilancin e saj në renditjen tabelare, kurse në anën tjetër Sigal Prishtina vjen prej një humbje, ku është mposhtur nga ekipi rus, Enisey dhe atë vetëm pas vazhdimeve. Kjo është një arsye më shumë për bardhekaltrit, që me një fitore të mundshme të kërkojnë rikuperimin dhe rikthimin tek rezultatet e mira.
E shtunë
Golden Eagle Ylli – Kerasan Prishtina 14:00
Peja – Vllaznimi 17:00
E diel
Trepça – Sigal Prishtina 18:00
Rahoveci – Bashkimi 18:00