Sot në Pragë është hedhur shorti për kampionatet evropiane të të gjitha grup moshave dhe divizioneve. Federata e Basketbollit e Kosovës edhe këtë vit ka paraqitur për gara pesë ekipe kombëtare të grup moshave të reja të të dyja gjinive.
Tek meshkujt Kosova në grup moshën U16 garon në Divizionin B, pas plasmanit në pozitën e 14-të në kampionatin e vitit të kaluar në këtë divizion.
Edhe kampionati i ardhshëm U 16 i Divizionit B zhvillohet në Sofje të Bullgarisë në datat 10 – 19 gusht dhe Kosova do të bëjë gara në grupin D bashkë me kombëtaret e Britanisë së Madhe, Gjeorgjisë, Portugalisë, Maqedonisë dhe Luksemburgut.
Në grup moshën U18 për meshkuj Kosova edhe vitin e ardhshëm garon në Divizionin C. Kampionati zhvillohet në Nikosia të Qipros, nga data 04 – 09 korrik dhe Kosova është në grupin A me Norvegjinë, Armeninë dhe Qipron, kusre në kampionatin e Divizionit C garojnë 8 ekipe.
Në grup moshën U20 Kosova është pjesë e Divizionit B dhe kurse kampionati i vitit 2017 zhvillohet në Oradea të Rumanisë në periudhën 14 – 23 korrik. Kosova është në grupin D me Kroacinë, Hungarinë, Portugalinë, Irlandën, dhe Moldavinë.
Tek vashat, Kosova garon në Divizionin C me dy grup mosha U 16 dhe U18.
Kampionati për U16 zhvillohet në Gjibraltar, në datat 25 – 30 korrik, kurse Kosova në kuadër të grupit A do të bëjë gara me kombëtaret e Maltës dhe Gjeorgjisë.
Kampionati U18 zhvillohet në Maltë, nga data 04 deri më 09 korrik, kurse Kosova, bën gara me Armeninë, Maltën, Gjibraltarin, Qipron dhe Armeninë.
Të gjitha kampionatet për grup mosha të reja zhvillohen në korrik dhe gusht të vitit 2017.
Në ceremoninë e zhvilluar në Pragë, FIBA kishte përzgjedhur Kryetarin e FBK-së Erolld Belegun ndër zyrtarët e federatave kombëtare prezente për të asistuar në procedurën e shortit.