Peja pësoi para publikut të vet mbrëmë nga ekipi bullgar Rilski dhe kështu u eliminua në gjysmëfinale të ligës ballkanike BIBL.
Për ekipin pejan ishte kjo një prej shfaqjeve të dobëta të kohëve të fundit dhe pa dyshim një zhgënjim duke pasur parasysh se kishin shënuar fitore në ndeshjen e parë, në Sofje, edhe pse me vetëm një pikë dallim.
Pas një starti të baraspeshuar, Rilski e përfundoi çerekun e parë me tre pikë epërsi dhe pas disa barazimeve në çerekun e dytë, Rilski megjithatë në fund të pjesës së parë krijoi epërsi prej pesë pikësh 40:35.
Në pjesën e dytë ekipi i Pejës dështoi tërësisht në të dyja fazat e lojës. Rilski shpejt u shkëput në rezultat dhe me epërsi komode prej 15 – 20 pikë e udhëhoqi lojën drejt një finishi të qetë.
Ndeshja përfundoi me rezultat 82:66 për ekipin bullgar, që në finale do të takohet me fituesin e çifitit gjysmëfinal ndërmjet Sigal Prishtinës dhe Kozhuvit.