Pasi KB Peja e ka braktisur fushën e lojës dhe ka refuzuar të vazhdojë ndeshjen e tretë të serisë finale të play-off-it të ETC Superligës së Kosovës, Komesari i Garave, në bazë të Propozicioneve të Garave ndeshjen e tretë finale e ka regjistruar me rezultat zyrtar 20:0 dhe e ka diskualifikuar Pejën nga garat e play-off-it.
Rrjedhimisht Sigal Prishtina është shpallur kampione e Kosovës për edicionin 2014/15.
Në vendimin e Komesarit të Garave ndër të tjera thuhet:
Pas braktisjes së fushës së lojës në ndeshjen e tretë finale të play-off-it, dhe regjistrimit të ndeshjes së tretë dhe ndeshjes së katërt finale të play-off-it me rezultat zyrtar, KB SIGAL PRISHTINA shpallet kampione e ETC Superligës së Kosovës për edicionin 2014/2015.
Pas kompletimit të te gjitha argumenteve (deklaratave) të akterëve në lidhje me braktisjen e fushës nga ana e KB Peja dhe duke marrë parasysh dëmtimin e rëndë të imazhit të basketbollit kosovar që e shkakton braktisja e paarsyeshme e ndeshjes nga ekipi finalist, në bazë të Nenit 1.6 të PG, i propozoj Komisionit Disiplinor të FBK-së që në pajtim me aktet normative të FBK-së e për shkak të shkeljes së Propozicioneve të Garave të shqiptojë ndëshkimet në vijim:
KB Peja të dënohet me gjobë prej 3.000,00€;
KB Peja të diskualifikohet dhe të bie në rang më të ulët të garave;
Ndaj përfaqësuesit zyrtar të KB Peja, z. Gazmend Pupovci, të inicohet procedurë disiplinore.