Bashkimi dhe Sigal Prishtina të martën do t’i luajnë ndeshjet e radhës në kuadër të Grupit A në Ligën Ballkanike (BIBL).
Prizrenasit me fillim nga ora 17:00 do të jenë mysafirë të Kumanovës në Maqedoni, kurse bardhekaltrit duke nisur nga ora 19:00 do të jenë nikoqirë të Teodo-s nga Tivati i Malit të Zi.
Kumanova është skuadra lidere e grupit, ku nga 6 ndeshje ka 5 fitore e 1 humbje. Disfatën e vetme ia ka shkaktuar Sigal Prishtina dhe atë në mesjavën e kaluar.
Deri në përfundim të edicionit të rregullt të Ligës Ballkanike, Bashkimi do t’i luaj edhe 4 ndeshje. Prizrenasit duhet të luftojnë për të shënuar fitore në të gjitha takimet, nëse e dëshirojnë kualifikimin tutje, por mund të vazhdojnë tutje edhe nëse triumfojnë në 2 ndeshje në shtëpi, por këtu jo gjithçka varet nga portokallinjtë.
Në anën tjetër Sigal Prishtina nga 3 ndeshje të luajtura në BIBL ka regjistruar 2 humbje e 1 një fitore, kurse Teodo nga 5 ndeshje ka bilanc prej 3 fitore e 2 humbje.
Jeronimo Sarin, trajner i Sigal Prishtinës:
“Ndaj Teodo-s do të jetë një ndeshje e vështirë, por ne duhet të hyjmë për të fituar. I kemi vetëm 8 basketbollistë në gjendje të mirë shëndetësore dhe me Andrew Lawrence-n, i cili vetëm dje ka filluar të stërvitet me skuadrën ka qenë e pamundur të organizohen stërvitje, kështu që duhet të improvizojmë derisa të vijnë përforcime të reja. Por nuk kemi kohë për ankesa, andaj kështu siç jemi duam të fitojmë dhe të arrijmë deri te faza e dytë e BIBL-it”.
Drilon Hajrizi, basketbollist i Sigal Prishtinës:
“Jemi në ritëm të mirë, andaj edhe nuk dyshoj që me përkrahjen e tifozëve tanë do të vazhdojmë me serinë e fitoreve në Ligën Ballkanike. Nuk do të jetë ndeshje e lehtë ajo ndaj Teodo-s, por ne do të bëjmë më të mirën në parket që të dalim fitues edhe nga kjo përballje”.
Duhet theksuar se Peja dhe Trepça do t’i luajnë takimet e radhës në Ligën Ballkanike të mërkurën. Verdhezinjtë janë nikoqirë të Sutjeska-s, kurse mitrovicasit janë mysafirë të Karpos Sokol-it.