Sigal Prishtina është plasuar në finalen e madhe pasi të martën mbrëma në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve në kryeqytet e ka mposhtur Bashkimin nga Prizreni me rezultat 84:75 në ndeshjen e katërt gjysmëfinale të “play-off”-it të Superligës së Kosovës në basketboll.
Prishtinasit prej fillimit të takimit e kanë diktuar ritmin e lojës duke mos lejuar prizrenasit që për asnjë çast seriozisht t’ua rrezikojnë fitoren, ndonëse portokallinjtë nuk u dorëzuan për asnjë çast pavarësisht faktit se ishin në disavantazh pothuajse gjatë gjithë kohës.
Më i dalluari te Sigal Prishtina ishte Dardan Berisha me 23 pikë, kurse te Bashkimi më efikasit ishin Granit Rugova dhe Theron Bussey, me nga 18 pikë secili.
Në këtë mënyrë bardhekaltrit në finalen e madhe do të takohen me Pejën, skuadër kjo që në gjysmëfinale e ka eliminuar Trepçën me rezultat 3:0 në seri.
Ndeshja e parë finale në mes Pejës dhe Sigal Prishtinës do të zhvillohet të dielën me fillim nga ora 19:30 në palestrën e sportit “Karagaçi”. Skuadra që shënon tri fitore do të shpallet kampione e Kosovës për edicionin 2015/16. Kampione në fuqi është skuadra nga kryeqyteti.