Të mërkurën duke filluar nga ora 19:00 në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë, Sigal Prishtina është nikoqire e Energia Targu Jiu nga Rumania në kuadër të xhiros së katërt të Grupit K të FIBA Europe Cup.
Energia ka bilanc të qind për qind nga tri xhirot e para pasi e ka mposhtur Prishtinën, AEK Larnaca-n (Qipro) dhe së fundi Astana-n (Kazakistan), derisa prishtinasit e kanë realizuar vetëm një fitore deri më tani dhe atë si vendas ndaj ekipit nga Kazakistani.
Prishtina në duelin e parë të luajtur në qytetin rumun Targu Jiu ka pësuar disfatë me 15 pikë dallim nga Energia. Bardhekaltrit janë të bindur se nuk do të përsëritet ajo ndeshje dhe se si vendas do të luajnë shumë më mirë, gjithnjë edhe falë përkrahjes së tifozëve, të cilët i presin në numër sa më të madh në palestër.
Florian Miftari, drejtor i përgjithshëm i Sigal Prishtinës: “Atmosfera në ekip është shumë e mirë. Gjithçka ka shkuar sipas planit të paraparë në stërvitjet e deritashme. Lojtarët janë shumë të motivuar dhe me padurim po e presin përballjen me klubin rumun. Të gjithë në skuadër jemi të vetëdijshëm për rëndësinë e kësaj ndeshjeje, andaj edhe u bëjmë thirrje të gjithë adhuruesve të basketbollit që të vijnë në numër sa më të madh në palestër, e në veçanti u bëjmë thirrje ‘Plisave’, sepse përkrahja e tyre është motivim shtesë për basketbollistët tanë. Tashmë e kemi dëshmuar ndaj Astana-s se ne dimë të luajmë basketboll cilësor dhe për këtë arsye jemi të bindur se edhe kundër Energia-s do të arrijmë të nxjerrim rezultat pozitiv që është shumë i nevojshëm për ne, pasi synimi ynë është ta kalojmë fazën e grupeve në FIBA Europe Cup. E kemi thënë prej fillimit dhe vazhdojmë ta përsërisim se ne jemi të mobilizuar për ta kaluar këtë fazë, andaj edhe jemi optimistë se mund ta mposhtim ekipin e pamposhtur deri më tani”.
Dardan Berisha, basketbollist i Sigal Prishtinës: “Pres një ndeshje të mirë dhe me atmosferë të zjarrtë. Mund të jetë ndeshje tepër e vështirë duke i marr parasysh cilësitë e ekipit kundërshtar. Megjithatë me mbështetjen e tifozëve tanë të flaktë ‘Plisat’ gjithçka është e mundshme. Fusha si vendas besoj se do të jetë përparësia jonë”.
Pas Energia-s ndeshjen e radhës në FIBA Europe Cup, Prishtina do ta luaj më 25 nëntor në Kazakistan ndaj Astana-s dhe më pas në kryeqytetin kosovar më 1 dhjetor e pret AEK Larnaca-n. Klubi rumun i prin renditjes tabelare me 6 pikë të grumbulluara, i ndjekur nga qipriotët, kazanët dhe prishtinasit. Dy vendet e para i vazhdojnë garat tutje në FIBA Europe Cup.
FIBA Europe Cup - Grupi K
Rezultatet
Energia - S. Prishtina 87:72
Astana - AEK Larnaca 78:74
AEK Larnada - Energia 71:75
S. Prishtina - Astana 75:73
Energia - Astana 89:72
AEK Larnaca - S. Prishtina 101:84
E martë:
AEK Larnaca – Astana 18:00
S. Prishtina – Energia 19:00
Tabela
1. Energia 3 6
2. AEK Larnaca 3 4
3. Astana 3 4
4. S. Prishtina 3 4