Sigal Prishtina i ka bërë të gjitha përgatitjet e duhura në çdo aspekt për takimin e nesërm kundër Astana-s nga Kazakistani. Një gjë të tillë e ka bërë të ditur të martën në një konferencë për media drejtori i përgjithshëm i Prishtinës, Florian Miftari. Kjo ndeshje i takon xhiros së dytë të Grupit K të FIBA Europe Cup dhe do të zhvillohet të mërkurën me fillim nga ora 19:00 në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë.
Astana në ndeshjen e parë në kuadër të Grupit K të FIBA Europe Cup ka shënuar fitore si nikoqir me rezultat 78:74 kundër Petrolina AEK Larnaca të Qipros, derisa Prishtina ka pësuar humbje si mysafir nga Energia e Rumanisë me shifrat 87:72.
Kampioni i Ligës Ballkanike (BIBL) dhe i Kosovës për herë të parë e përfaqëson vendin tonë në një garë evropiane. Bardhekaltrit janë të vetëdijshëm se i pret një përballje e vështirë, por ata premtojnë se do të japin më të mirën në këtë sfidë tejet të rëndësishme. “Skuadra e Prishtinës është në prag të një dite historike pasi e luajmë ndeshjen e parë si nikoqir në FIBA Euro Cup. Sfida me Astana-n është shumë e rëndësishme, por unë jam i bindur se ne jemi përgatitur në të gjitha aspektet për t’u përballuar me ekipin nga Kazakistani”, ka deklaruar Miftari për të shtuar: “Sidoqoftë ne besojmë se do të bëjmë më të mirën tonë në parket. Ekipi është përgatitur mjaft mirë duke marrë parasysh se ne kishim një sfidë, të cilën nuk e kaluam me sukses dhe për të cilën gjë ka shumë faktorë. Besoj se ka qenë një rrugë shumë e gjatë dhe e mundimshme duke e marrë parasysh se nuk kemi mundur të kalojmë nëpër Serbi, por edhe ka qenë ndeshja e parë, që do të thotë se ka pasur vend për justifikime që disi të ngushëllohemi. Mirëpo, ndeshjen që e luajmë brenda nuk do të ketë arsye, sepse objektiv si klub e kemi ta kalojmë këtë grup. E dimë shumë mirë së kundërshtari është pretendentë edhe ta fitojë gjithë garën, sepse dihet mirë se kanë një buxhet prej 5 milionë eurove, kanë një kuadër të madh me lojtarë, me emra shumë të njohur dhe normalisht se janë klub me traditë, si dhe kampionë të dhjetëfishtë në Kazakistan. Çdo fjalë është e tepërt për kundërshtarin, por ne nuk do të dorëzohemi duke marrë parasysh përkrahjen që do ta kemi nga publiku, veçanërisht për koreografinë që janë duke e përgatitur tashmë ‘Plisat’. Normal se ata do të jenë lojtari ynë i gjashtë dhe besoj se në kuadër të saj do të na ndihmojnë shumë që të korrim edhe një sukses siç e kemi pasur në Ligën Ballkanike”, ka thënë Miftari.
Prishtina bën gara në Grupin K të FIBA Europe Cup së bashku me Energia Targu-Jiu (Rumani), Astana (Kazakistan) dhe Petrolina AEK Larnaca (Qipro).
Ky është edicioni inaugurues i FIBA Europe Cup, në të cilin garojnë 56 klube të ndara në 2 Konferenca dhe në 14 Grupe.