Kampionia në fuqi e Ligës Ballkanike (BIBL), Sigal Prishtina do ta nisë mbrojtjen e titullit në këtë garë me ballafaqimin që do ta zhvillojë të enjten në Stara Zagora të Bullgarisë kundër BC Beroe me fillim nga ora 17:00.
Bardhekaltrit janë mobilizuar maksimalisht në mënyrë që edicionin e ri në BIBL ta nisin me këmbë të mbarë dhe më pas të vazhdojnë me të njëjtin ritëm ndeshje pas ndeshje.
Trajneri i Sigal Prishtinës, Marjan Ilievski beson se me lojë kolektive dhe karakter ekipor do t’ia dalin që në fund nga Bullgaria të kthehen me fitore: “Ndeshja e parë me një ekip që është i ri në BIBL dhe që luan në terrenin vendas. Natyrisht se kundërshtari do të jetë i motivuar, sikurse të gjitha klubet tjera që do të luajnë kundër nesh, pasi ne jemi kampionë në fuqi. Pres qasje serioze të skuadrës prej fillimit të ndeshjes, lojë kolektive dhe karakter ekipor për të nxjerr rezultat sa më të mirë”.