Sigal Prishtina të premten mbrëma ka shënuar fitore në përballje me Kerasan Prishtinën me rezultat 114:88 (20:25, 33:23, 35:14, 26:26) në kuadër të xhiros së XXIV të IP Superligës së Kosovës në basketboll.
Më të dalluarit te skuadra bardhekaltër ishin Filip Bundoviq me 30 pikë, 18 kërcime e 4 asistime, Rinor Peci me 23 pikë, 8 kërcime e 6 asistime, Alban Veseli me 19 pikë, 7 kërcime e 5 asistime dhe Valon Bunjaku me 17 pikë, 8 kërcime e 7 asistime.
Te Kerasan Prishtina më efikasit ishin Kujtim Ujkani me 18 pikë, 10 kërcime e 4 asistime, Rinor Ahmeti me 13 pikë, 4 kërcime e 3 asistime dhe Kreshnik Muçolli me 12 pikë e 3 kërcime.
Ndërkaq sot në program janë dy ndeshje të tjera mjaft interesante ku Golden Eagle Ylli e pret Trepçën (19:00) dhe Bashkimi është nikoqir i Rahovecit (19:30). Në të dyja këto ndeshje pritet rivalitet i madh dhe varësisht nga rezultatet, skuadrat do të jenë më afër kuptimit se nga cilat pozita do të startojnë në “play-off” apo edhe a do të hyjnë në “play-off”.
Të dielën në Pejë është takimi i fundit i kësaj xhiroje, ai në mes Pejës dhe Boreas që do të luhet në “Karagaçi” duke filluar nga ora 17:30. Të dyja ekipit pritet të japin maksimumin për të shënuar fitore, e cila edhe do t’i jepte shpresë për t’i ikur “play-out”-it.